BotaTop Lajme

“Rrethojeni, le të vdesin nga uria”, urdhërojnë ministrat izraelitë shefin ushtrisë për operacionin në Gaza

Shpërndaje

Ministrat izraelitë të ekstremit të djathtë kanë mbështetur në mënyrë të hapur vdekjen nga uria të popullsisë së Gazës gjatë një mbledhje të kabinetit, duke shkaktuar konfrontim të ashpër me shefin ushtarak Eyal Zamir mbi strategjinë e vazhdueshme të luftës së Izraelit, transmeton Anadolu.

Sipas raporteve të medias izraelite, përplasja u zhvillua gjatë diskutimeve mbrëmë vonë mbi operacionin “Karrocat e Gideonit 2”, një ofensivë e planifikuar në shkallë të gjerë e shoqëruar me evakuime masive në Qytetin Gaza.

Ministria i Financave, Bezalel Smotrich, kërkoi masa më të ashpra kundër palestinezëve që qëndrojnë në Qytetin Gaza.

“Ne ju urdhëruam të kryeni një operacion të shpejtë. Sipas mendimit tim, mund t’i rrethoni. Kush nuk evakuohet, mos e lejo. Pa ujë, pa energji elektrike, lëri të vdesin nga uria ose të dorëzohen. Kjo është ajo që duam dhe jeni të aftë ta bëni”, citohet Smotrich nga transmetuesi izraelit Channel 12.

Zamir kundërshtoi duke paralajmëruar se afatet kohore të vendosura pa dallim janë të pa realizueshme ushtarakisht dhe varen nga kushtet e fushës së betejës.

“Ne po operojmë në zona të tjera, në Khan Younis dhe Rafah”, tha ai, duke theksuar se “realitetet ushtarake kërkojnë kohë dhe planifikim të kujdesshëm”.

Debati u përshkallëzua më tej kur ndërhyri ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, i cili e akuzoi shefin ushtarak për hezitim, duke e pyetur “nëse ka frikë nga avokati i përgjithshëm ushtarak”.

Smotrich më pas e akuzoi Zamirin se po sfidon urdhrat politik dhe po bllokon veprime vendimtare, duke theksuar se “kjo nuk është ajo që urdhëroi udhëheqja politike”.

“Ju nuk doni ta mposhtni (Hamasin)”, shtoi ai.

Zamir u përgjigj: “Nuk kupton asgjë. Nuk e di çfarë është një brigadë apo batalion. Kjo kërkon kohë”.

Sipas transmetuesit Channel 12, kryeministri Benjamin Netanyahu dhe ministrat e lartë, përfshirë Israel Katz dhe Ron Dermer, heshtën, duke treguar vetëm “presionin në rritje të SHBA-së” për zgjidhje të shpejta.

Sipas Times of Israel, kabineti izraelit do të mblidhet të martën për të vazhduar bisedimet mbi ofensivën në Gaza dhe për një marrëveshje të mundshme shkëmbimi të të burgosurve.

Që nga tetori 2023, Izraeli ka vrarë më shumë se 62,600 palestinezë në Gaza. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me uri të rëndë.

Në nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhërarreste ndaj kryeministrit Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.