Sërish dështon, tre emra nga VV as sot nuk arritën të marrin votat për kryeparlamentar
Hekuran Murati dhe Arbëria Nagavci dhe Dimal Basha nga Lëvizja Vetëvendosje s’arritën të siguronin 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në krye të Kuvendit të Kosovës.
Hekuran Murati dhe Arbëria Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje s’arritën të siguronin 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në krye të Kuvendit të Kosovës. Kjo ishte hera e dytë që Murati u propozua për këtë post, dhe hera e parë për Nagavcin. Më pas, partia fituese e zgjedhjeve të shkurtit propozoi deputetin Dimal Basha për postin e kryeparlamentarit. Para seancës, përfaqësuesit e partive politike – që mandatin e kaluar ishin në opozitë – përsëritën qëndrimet e tyre sa i përket çështjes së zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimeve Musliu tha se ka marrë vendim që të mos e votojë asnjë kandidat të propozuar nga LVV-ja, pasi argumentoi se kjo parti “është duke e mbajtur peng shtetin” që nga 9 shkurti, kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare.
Ky ishte vazhdimi i tretë i seancës konstituive që nga publikimi i aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese më 18 gusht. Sipas aktgjykimit, deputetët kanë 30 ditë kohë për të zgjedhur kryetarin dhe pesë nënkryetarët. Kryeparlametari duhet të zgjidhet me votim të hapur dhe një emër mund të hidhet në votim deri në tri herë. Që nga publikimi i aktgjykimiz, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar edhe Albulena Haxhiun dhe Donika Gërvallën, por ato nuk kanë arritur të marrin 61 votat e nevojshme.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë thënë se votojnë për kandidatë të caktuar nga LVV-ja. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kanë argumentuar se nuk kanë votë për asnjë kandidat për kryeparlamentar pa një marrëveshje politike.
LVV-ja në seancat paraprake – para aktgjykimit të fundit të Kushtetueses – kishte insistuar në emrin e Haxhiut për kryeparlamentare. Tani kjo parti thotë se pas dështimit që Gërvalla dhe Murati të zgjidhen në drejtimin e Kuvendit, argumenti i partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë, se Haxhiu nuk është person i papërshtatshëm për këtë post, nuk qëndron. LVV-ja akuzon partitë e tjera për bllokim të krijimit të institucioneve.
Por, partitë e tjera thonë se tani LVV-ja po propozon emra që e di se nuk kanë votë për t’u zgjedhur kryeparlamentar. AAK-ja ka kërkuar të dijë emrin e kandidatit të LVV-së, para se ai të propozohet, por nuk gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Seanca konstituive ka nisur më 15 prill. Por, ajo deri më tani nuk është përmbyllur për shkak të mospajtimeve mes partive politike lidhur me formën e votimit të kryeparlamentarit.
Pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, disa herë dështoi të zgjidhej në krye të organit ligjvënës në gjashtë votime të hapura, Dehari më 1 maj ndryshoi rendin e ditës. Ai më pas kërkoi nga Partia Demokratike, Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe që të propozonin nga një anëtar për një komision që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentarin. Kjo u kundërshtua nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, të cilat refuzuan që të propozonin anëtar për këtë Komision.
Fillimisht, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës iu drejtua Kushtetueses për çështjen e ngërçit. Gjykata u përgjigj më 26 qershor, duke thënë se votimi duhej të bëhej sipas praktikave të deritanishme. Ajo u dha deputetëve 30 ditë afat ta përmbyllnin procesin e konstituimit, por ky afat u shpërfill.
Në ndërkohë, PDK-ja dhe LDK-ja, dorëzuan lëndë të ndara për çështjen e votimit të kryeparlamentarit. Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme nga 27 qershori deri më 8 gusht, duke ua ndaluar deputetëve që të ndërmerrnin vendime dhe veprime për konstituimin e Kuvendit. Më 8 gusht, Kushtetuesja njoftoi për vendimin për dy lëndët e paraqitura – aktgjykimin e plotë të të cilit e publikoi më 18 gusht – përmes së cilit tha se ndryshimi i rendit të ditës ishte shkelje, duke obliguar Kuvendit që t’i kthehet votimit të hapur.
Asnjëra nga subjektet nuk ka fituar vota të mjaftueshme për të bërë vet shumicën dhe po ashtu nuk është arritur një marrëveshje politike. LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i fitoi 48 ulëse gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe partitë e tjera parlamentare nuk kanë pranuar ta votojnë kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, për emërimin e së cilës nevojiten të paktën 61 vota. PDK-ja doli e dyta me 24 ulëse, LDK-ja e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9, dhe koalicioni mes AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla. Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave./REL