Trump: Mundësia për të arritur paqe në Ukrainë është e madhe
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se takimi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe udhëheqësit evropianë “nuk është fundi i rrugës” dhe se mundësia është e madhe për të arritur paqe në Ukrainë, raporton Anadolu.
Trump bëri deklarata për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, ku u takua me Zelenskyyn.
“Takimi me Zelenskyyn dhe udhëheqësit evropianë nuk është fundi i rrugës. Do të kemi një takim. Mendoj se gjithçka do të jetë mirë sot, do ta provojmë këtë dhe kur ta bëjmë, do të kemi një shans për t’i dhënë fund luftës”, tha Trump.
Kur u pyet për vendosjen e trupave amerikane në Ukrainë si paqeruajtës, Trump tha: “Ne do të punojmë me Ukrainën dhe Rusinë. Do të punojmë me të gjithë dhe nëse ka paqe, do të sigurohemi që paqja të zgjasë për një kohë të gjatë”.
“Nuk kam asnjë dyshim për paqen afatgjatë”, tha Trump në lidhje me garancitë e sigurisë që do t’i ofrohen Ukrainës, ndërsa shtoi se “Do të ketë shumë ndihmë për çështjen e sigurisë. Do të jetë mirë. Ata (Evropa) janë vija e parë e mbrojtjes sepse janë atje, por edhe ne do t’i ndihmojmë ata. Edhe ne do të jemi të përfshirë”.
Presidenti amerikan deklaroi gjithashtu se qëllimi i tij në bisedime nuk është arritja e armëpushimit midis Rusisë dhe Ukrainës, por të “arrijë një marrëveshje të drejtpërdrejtë paqeje”.