Zelensky: Në 1 mijë ditët e fundit të luftës, Rusia pushtoi 1% të territorit
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky theksoi sot rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare në Ditën e Pavarësisë, duke nënvizuar rolin kyç të G7 në luftën për mbrojtjen e vendit dhe arritjen e paqes së qëndrueshme.
“Që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë, G7 është provuar si një nga formatet më efektive të mbështetjes për Ukrainën,” deklaroi ai, duke falënderuar partnerët ndërkombëtarë për qëndrimin e tyre të palëkundur.
Një simbol i kësaj mbështetjeje ishte edhe vizita e kryeministrit të Kanadasë, Mark Carney, vendi që aktualisht kryeson G7-në.Presidenti ukrainas vlerësoi veçanërisht udhëheqjen e SHBA-ve dhe Presidentit Donald Trump, duke theksuar se sot ekziston një shans i vërtetë për paqe reale.
Siguria, kusht i paqes
Sipas Zelensky-t, arritja kryesore diplomatike është vizioni i përbashkët me SHBA-të, Europën dhe aleatët për garancitë e sigurisë, të cilat duhet të jenë të detyrueshme me ligj. “Këto garanci janë themeli i paqes së qëndrueshme,” tha ai, duke shtuar se Rusia “po bombardon me vetëdije përpjekjet globale për paqe” dhe se vetëm presioni i shtuar do ta detyrojë Moskën të bëhet konstruktive.
Rusia humb terren
Ai solli edhe shifra konkrete: Pas 1 mijë ditëve të fundit të luftës, Rusia ka mundur të pushtojë vetëm 1% të territorit ukrainas.
“Nëse 3 vite më parë kontrollonte 21% të territorit, sot mban rreth 19%. Kremlini nuk po fiton asgjë në fushën e betejës, veçse terrorizon popullsinë civile dhe saboton diplomacinë,” theksoi Zelensky.
Ndihma, dronët dhe asetet e Rusisë
Presidenti ukrainas foli për tre pika kryesore: sigurinë, mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën dhe presionin ndaj Rusisë. Ai shpjegoi nevojat e ushtrisë, rritjen e prodhimit të dronëve dhe ndihmën makrofinanciare. “Nëse kostoja e sigurisë është e lartë, mungesa e saj do të kushtojë jetë njerëzish,” theksoi ai, duke kërkuar konfiskimin e plotë të aseteve ruse të ngrira në Perëndim.
“Miqtë e Ukrainës”
Presidenti ukrainas u shpreh mirënjohës për solidaritetin e partnerëve, duke përmendur edhe mesazhin e Zonjës së Parë të SHBA-ve, Melania Trump, mbi çështjen e të burgosurve ukrainas në Rusi.
Ai u ndal edhe te gjestet prekëse nga aleatët: një ministër kanadez i veshur me ngjyrat e flamurit blu e verdhë dhe fjalët e një kolegu italian: “Flamuri juaj është flamuri ynë sot, flamuri i lirisë.”