‘ZNAM’ nuk distancohet nga ideja e Fillkovit për rishikimin e Badenterit
Ministri i Drejtësisë Fillkov, duket së është lënë të notojë i vetëm në ujëra të trazuara. Sot, partia e tij ZNAM, as nuk i doli në mbështetje por as nuk u distancua nga deklarata e tij për nevojën e revidimit të mekanizmit të Badenterit. Zëdhënësi i partisë ZNAM zgjodhi të hedh topin përsëri në fushën e Fillkovit.
Nikolla Memov, ZNAM
“Për atë çështje do të drejtoheni te ministria e Drejtësisë.
-Të partisë?
-Në ministrinë e Drejtësisë do të drejtoheni.
-Unë ju pyes për qëndrimin tuaj si parti?
-Në intervistën që e dha ministri i Drejtësisë, nuk është përmendur askund ajo që e flisni ju, për informacione shtesë dhe sqarime, do të drejtoheni atje?
– Pra, ju nuk e ndani qëndrimin e njëjtë si ministri?
-Nuk e komentoj këtë.”
Deklarata e ministrit Fillkov, për rishikimin e Badenterit, ishte si një sharrë në gozhdë. Kryeministri Mickoski tha se bëhet fjalë për një temë të mbyllur, ndërsa VLEN tha se politikanët që bëjnë pikë me tema etnike janë të dështuar.
Edhe pse u përpoq ta relativizojë çështjen e ditëve të fundit, ZNAM në konferencën e sotme për media ku në shënjestër të kritikave kishte ish drejtorin e “Gazetës Zyrtare”, Martin Kostovski, përdori retorikën e njëjtë. Publikimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve në Gazetën Zyrtare në vitin 2019, ZNAM e cilësoi si sulm ndaj rendit kushtetues të shtetit.
“Njëkohësisht Kostovski publikoi ligjin për përdorimin e gjuhëve pa nënshkrimin e presidentit të shtetit, që është shkelje direkte e Kushtetutës dhe vepër e rëndë penale, bashkim kriminal dhe sulm ndaj rendit kushtetues të shtetit. I njëjti person e legalizoi kapitullimin e Maqedonisë përmes publikimit të së ashtuquajturës ‘Marrëveshje e Prespës., përsëri pa nënshkrim të presidentit dhe në kundërshtim me ligjin”, tha Nikolla Memov, ZNAM.
Kujtojmë se që nga formimi i Qeverisë, disa funksionarë të ZNAM-it, , vazhdojnë me sjellje ngacmuese dhe nxitje të temave etnike. Fillkov u kap me badenterin, kreu i partisë, Dimitrievski me flamurin shqiptar ndërsa ministri i Administratës Minçev me balancuesin. /Alsat/