Ali Ahmeti uron fillimin e vitit të ri shkollor: “Shkolla shqipe – një dritë që nuk është fikur kurrë”
Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka përcjellë një mesazh të ngrohtë dhe urim të përzemërt për nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit shqiptarë, duke theksuar rëndësinë e arsimit dhe shkollës shqipe në ndërtimin e një të ardhmeje të ndritur për brezat që vijnë.
“Kjo ditë e veçantë shënon një fillim të ri në udhëtimin tuaj drejt diturisë dhe ndërtimit të një të ardhmeje më të ndritur,” – thuhet në mesazhin e Ahmetit, i cili vendos theksin te vlerat që sjell arsimi në formimin e njeriut dhe shoqërisë.
Një pjesë të veçantë të urimit, lideri i BDI-së ia ka kushtuar mësimdhënësve dhe prindërve, duke i quajtur ata “udhëheqës të palodhur” në rrugën e dijes dhe edukimit:
“Shkolla shqipe, pavarësisht sfidave të së kaluarës, është ruajtur dhe është zhvilluar falë kontributit të madh të mësimdhënësve. Ju ishit dhe mbeteni shtylla kryesore e dijes dhe edukimit, prandaj mirënjohja jonë për ju do të jetë e përjetshme.”
Ahmeti u zotua se organizata që ai drejton do të vazhdojë të punojë për një arsim cilësor, bashkëkohor dhe gjithëpërfshirës për çdo fëmijë shqiptar, si dhe për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar përmes edukimit.
Në përfundim të urimit, ai iu drejtua me fjalë të veçanta nxënësve që këtë vit nisin për herë të parë rrugëtimin e tyre shkollor:
“Uroj veçanërisht nxënësit që për herë të parë këtë vit nisin rrugën e dijes. Qofshi gjithmonë të lumtur dhe të përkushtuar në këtë udhëtim të bukur!”
Mesazhi i Ali Ahmetit vjen si një nxitje për të gjithë faktorët e përfshirë në procesin arsimor që të bashkëpunojnë për të garantuar një të ardhme më të mirë për fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.