MaqedoniTop Lajme

Aliu: Deri të Komisioni i Brendshëm janë dorëzuar dosje mjekësore për tetë raste

Shpërndaje

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në konferencën e sotme për shtyp informoi se deri te Komisioni i Brendshëm për ndërhyrjet kardiologjike dhe kardiovaskulare janë dorëzuar dosje mjekësore për tetë raste. Komisioni do ti shqyrtojë të gjitha me imtësi, me qëllim që të përcaktohet e vërteta mbi bazë të fakteve mjekësore. Nesër Komisioni do të mblidhet dhe këto dosje do të jenë rastet e para për të cilat do të veprojë.

Njëkohësisht, ministri Aliu informoi se Ministria ka kërkuar mbikëqyrje të jashtëzakonshme profesionale nga Oda e Mjekëve për këto raste.

“Qytetarët duan dhe duhet të jenë të sigurt se kur kërkojnë shërbim shëndetësor, e marrin atë mbi bazë të nevojës reale dhe provave mjekësore, e jo mbi vlerësime të përgjithshme apo motive korruptive. Procesi që ka nisur është terapi për sistemin shëndetësor që të rikthehet besimi në të. Një terapi që fillon me ndërhyrjet kardiologjike dhe kardiovaskulare, por nuk do të ndalet këtu ,do të zgjerohet në të gjitha segmentet e shëndetësisë, sepse çdo fushë duhet të bazohet në profesionalizëm, prova mjekësore dhe respekt ndaj pacientëve. E dimë se besimi nuk rikthehet brenda natës , hap pas hapi, po dëshmojmë se shëndetësia është në anën e qytetarëve dhe se nuk ka kthim prapa”, tha ministri i Shëndetësisë Aliu.

Ai theksoi se askush nuk do të mbrohet, as nga sektori publik, as nga ai privat shëndetësor, nëse vërtetohet se ka qenë i përfshirë në kryerjen e ndërhyrjeve për të cilat nuk ka justifikim mjekësor. Në të njëjtën kohë, askush nuk do të stigmatizohet pa prova.