Arben Fetai: Nga 15 shtatori automjetet shtetërore me targa të reja me ngjyra për më shumë transparencë
Zv.kryeministri Arben Fetai ka bërë të ditur se nga data 15 shtatori hyn në fuqi sistemi i ri për brendimin dhe identifikimin e automjeteve shtetërore dhe komunale. Në kuadër të kësaj nisme, e cila ka për qëllim rritjen e transparencës dhe ndalimin e keqpërdorimeve, rreth 7.000 deri 7.500 automjete zyrtare në gjithë territorin do të pajisen me targa të reja me ngjyrë kuq e verdhë, të dallueshme dhe lehtësisht të identifikueshme nga qytetarët dhe mediat. Kjo masë synon të vendosë standarde më të larta të llogaridhënies dhe të shmangë përdorimin e mjeteve zyrtare për interesa private ose partiake, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore, njofton albazone media.
Postimi nga Fetai:
Me përfshirjen aktive të Kabinetit tim dhe me qëllim forcimin e transparencës dhe llogaridhënies në administratën publike, Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut ka filluar zbatimin e një procesi të rëndësishëm për brendimin dhe identifikimin e të gjitha automjeteve shtetërore dhe komunale, me vendosjen e targave të reja me ngjyrë, të cilat do të hyjnë në përdorim nga data 15 shtator.
Sistemi i ri pritet të përfshije rreth 7.000 deri 7.500 automjete shtetërore dhe komunale në gjithë territorin. Ato do të pajisen me targa të reja me ngjyrë të veçantë (kuq e verdhë), të cilat do të jenë të dukshme dhe lehtësisht të identifikueshme nga qytetarët dhe mediat.
Ky hap është pjesë e një përpjekjeje të gjerë për të ndaluar keqpërdorimin e automjeteve zyrtare për qëllime partiake ose private, sidomos gjatë periudhave zgjedhore, praktikë kjo që ka qenë shpesh objekt kritikash në opinionin publik.