MaqedoniTop Lajme

Arbër Ademi – Nënkryetar i BDI-së: Nga Balancuesi te Badenteri, ajo që po ndodh është atentat i përsëritur mbi Marrëveshjen e Ohrit

Shpërndaje

Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, në një konferencë për media ka paralajmëruar se vendi po përballet me “një atentat të sërishëm mbi themelet e Marrëveshjes së Ohrit”, duke akuzuar qeverinë dhe partnerët e saj për cenim të mekanizmave kushtetues që garantojnë barazinë dhe funksionimin multietnik të shtetit informon Tetovasot.

Sipas tij, tentativat për rishikimin e shumicës së Badenterit nuk janë lapsus politik, por pjesë e një skenari të qëllimshëm për të dobësuar të drejtat e shqiptarëve.

“Që nga dita e parë e këtij mandati, kjo qeveri ka ndjekur një agjendë të rrezikshme: shfuqizoi Balancuesin, nuk respekton ligjin për gjuhët, uli numrin e këshilltarëve në komuna, fshiu diasporën shqiptare nga përfaqësimi dhe ia dorëzoi implementimin e Marrëveshjes së Ohrit figurave me qëndrime antishqiptare”, deklaroi Ademi.

Ai shtoi se qeveria e tanishme ka shkelur vullnetin politik të shqiptarëve, ka ndaluar përdorimin e flamurit kombëtar dhe po përgatitet të godasë mekanizmin mbrojtës të votimit me Badenter.

“Çdo tentativë për ta shfuqizuar Badenterin është tentativë për ta kthyer vendin pas – në padrejtësi dhe përjashtim”, theksoi Ademi, duke akuzuar partnerët politikë të qeverisë se “për një kolltuk janë të gatshëm të heqin dorë nga gjithçka që ka vlerë për shtetin multietnik”.

Në fund, ai u bëri thirrje shqiptarëve që më 19 tetor ta ndalojnë këtë rrezik me votën e tyre:

“Barazia nuk negociohet dhe Marrëveshja e Ohrit nuk cenohet.”