Bajram Rexhepi: 12 milionë denarë për bulevard pa leje – skandal dhe abuzim me taksat e qytetarëve
Kandidati i AKI-së për Komunën e Tetovës, Bajram Rexhepi, ka reaguar ashpër lidhur me ndërtimin e bulevardit “Boris Kidriç”, duke e quajtur projektin një skandal të madh urbanistik dhe financiar informon Tetovasot.
Sipas tij, për këtë bulevard janë nënshkruar dy kontrata për punë ndërtimore, më 06.02.2024 dhe 07.08.2024, me një vlerë totale prej mbi 12 milionë denarësh nga taksat e qytetarëve. Megjithatë, në vend të një lejeje ndërtimi për një projekt të ri, Komuna ka marrë vetëm leje për “rikonstruksion”, e lëshuar më 16.10.2024 – gati një vit pas nënshkrimit të kontratave dhe fillimit të punimeve.
“Sigurimi i lejes së ndërtimit është procedurë që duhet bërë paraprakisht, jo pas fillimit të punëve. Ky është jo vetëm mashtrim ndaj qytetarëve, por edhe shkelje e rëndë ligjore që ngre dyshime për korrupsion dhe abuzim me procedurat,” theksoi Rexhepi.
Ai akuzoi Komunën se po përpiqet me fabrikime dhe keqinformim të manipulojë opinionin publik dhe të shmangë përgjegjësinë. “Kjo nuk kalon. Koha e përgjegjësisë po afrohet dhe përgjegjësi do të ketë,” u shpreh Rexhepi.