MaqedoniTop Lajme

BE: pas zgjedhjeve lokale, RMV dhe Bullgaria ta rikthejnë dialogun

Shpërndaje

Kreu i Këshillit Evropian Antonio Koshta beson se pas zgjedhjeve në Maqedoni, Shkupi dhe Sofja do të mund të rikthejnë dialogun, të ulen dhe të bisedojnë për kthimin e besimit. Koshta qëndroi në Bullgari ku takoi krerët shtetëror, kurse pas takimeve, në pyetjet e gazetarëve tha se Maqedonia duhet të realizojë detyrimet dhe se duhet të sigurohet se nuk do të ketë kërkesa të tjera për të, pas ndryshimeve kushtetuese.

“Besoj se pas periudhës zgjedhore në Maqedoni, do të mund të bisedojmë përsëri dhe të ecim përpara në këtë proces. Maqedonia e Veriut është duke pritur për një kohë shumë të gjatë në këtë proces dhe unë e kuptoj frustrimin e tyre. Ajo që është dakorduar, është dakorduar dhe ata duhet ta zbatojnë. Në të njëjtën kohë, është shumë e rëndësishme të ndërtojmë besim dhe të sigurohet Maqedonia e Veriut se ajo që kërkojmë tani nuk është vetëm për tani dhe se nuk presim që të bëjmë kërkesa të tjera më vonë. Kjo është e logjikshme. Prandaj është e rëndësishme të ndërtojmë besimin dhe të fillojmë të shikojmë për çështjet konkrete që mund ta përmirësojnë lidhjen mes dy vendeve”, tha Antonio Koshta, Kryetar i Këshillit Evropian.

Koshta përmendi projektet e përbashkëta që lidhin vendet, si ata infrastrukturore në kuadër të Korridorit 8.

Kryeministri Bullgar Rosen Zheljazkov, deklaroi se qëndrimi i Sofjes mbetet i pandryshuar dhe se e vetmja rrugë përpara për Shkupin është zbatimi i plotë i marrëveshjeve nga konsensusi evropian i korrikut 2022, pa mundësi për rishikimin e tyre.

“Ne kurrë nuk kemi kërkuar argumente në debatet e brendshme politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, por shpresojmë që gjuha e urrejtjes dhe respektimi i të drejtave të pakicës bullgare, përfshirë detyrimin për t’u përfshirë në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, do të përmbushen, pasi ky është një parakusht për vazhdimin e tyre në rrugën drejt anëtarësimit të plotë”, u shpreh Rosen Zheljazkov, Kryeministër i Bullgarisë.

Zheljazkov shtoi se parlamenti bullgar këtë vit konfirmoi qëndrimin e Sofjes se nuk do të bëjë kërkesa të tjera mbi detyrimet që vendi duhet të përmbushë. Ashtu si Ministri i Jashtëm bullgar Georg Georgiev, edhe Kryeministri Zheljazkov e vlerëson si “absolutisht të pajustifikuar dhe të panevojshme” iniciativën për të vlerësuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e protokollit të takimit të dytë të Komisionit të Përbashkët me Bullgarinë të hapur së fundmi në Gjykatën Kushtetuese në vend. /Alsat/