Bota

Belgjika deklaron se do të njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

Shpërndaje

Belgjika do të njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që do të mbahet këtë muaj në Nju Jork, njoftoi sot ministri i Jashtëm belg, Maxime Prévot.

Sipas tij, ky hap është pjesë e një përpjekjeje të koordinuar me vende të tjera, veçanërisht Francën dhe Kanadanë.

“Palestina do të njihet nga Belgjika gjatë sesionit të OKB-së”, deklaroi Prévot përmes një postimi në platformën X, duke shtuar se paralelisht do të shpallen edhe sanksione të ashpra ndaj qeverisë izraelite.

Në fund të korrikut, presidenti francez Emmanuel Macron konfirmoi se Franca do të njohë shtetin palestinez gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që zhvillohet nga 9 deri më 23 shtator në Nju Jork. Më shumë se dhjetë vende perëndimore kanë kërkuar nga shtetet që ende nuk e kanë bërë këtë njohje, ta bëjnë tani.

Ministri i Jashtëm belg theksoi se Belgjika do të bashkohet me shtetet që do të nënshkruajnë Deklaratën e Nju Jorkut, me qëllim rivendosjen e zgjidhjes me dy shtete, si rruga e vetme për një paqe të qëndrueshme në rajon.

Megjithatë, njohja zyrtare e Palestinës nga Belgjika varet nga disa kushte. Ajo nuk do të formalizohet përpara se të lirohet pengu i fundit i mbajtur nga Hamasi, dhe gjithashtu nuk do të lejohet që lëvizja islamiste palestineze të ketë ndonjë rol në administrimin e ndonjë territori palestinez, sqaroi Prévot.

Sanksionet përfshijnë po ashtu edhe “ndalim të importit të produkteve të vendbanimeve” në territoret e pushtuara, si dhe “ndjekje penale të mundshme”, ndalimin e “fluturimeve” dhe përdorimin e infrastrukturës belge si stacion tranziti, si dhe përfshirjen e “dy ministrave ekstremistë izraelitë, kolonëve të dhunshëm”, si dhe “udhëheqësve të Hamasit”, në listën e personave të padëshiruar (persona non grata).