Bujar Osmani: Koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim do të dalë forca e dytë politike në Maqedoninë e Veriut
Kandidati i BDI-së për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, ka paralajmëruar se koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim do të dalë forca e dytë politike në Maqedoninë e Veriut. Në një konferencë për media, Osmani u shpreh se ky koalicion pret të marrë rreth 150 mijë vota, ndërsa, sipas tij, VLEN-i do të mbetet shumë pas. “VLEN-i do të ketë vetëm 50 deri 60 mijë vota dhe do të renditet si forca e pestë ose e gjashtë në vend,” tha Osmani.
Ai theksoi se qëllimi kryesor i aleancës është të ruajë balancën mes komunitetit shqiptar dhe atij maqedonas. “Ky shtet duhet të funksionojë mbi partneritetin e dy komuniteteve më të mëdha, duke respektuar të drejtat e të gjitha pakicave,” theksoi kandidati i BDI-së.
Zgjedhjet e ardhshme në Çair pritet të jenë ndër më të nxehtat, pasi Osmani do të përballet drejtpërdrejt me Izet Mexhitin e koalicionit VLEN. Një duel i veçantë, pasi të dy kanë qenë bashkë partiakë në BDI. Çairi, me mbi 62 mijë banorë në vetëm 3.5 kilometra katrorë, shihet si zemra politike e shqiptarëve në Shkup. Dhe gara e vjeshtës atje pritet të jetë një test vendimtar për forcat shqiptare pas ndarjeve të fundit brenda BDI-së.