MaqedoniTop Lajme

Bujar Osmani: Ose jemi me BE-në, ose me “Botën Serbe” – zonë gri nuk ka!

Shpërndaje

Kandidati për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, theksoi se vendi tashmë i ka marrë të gjitha garancitë e nevojshme nga BE-ja dhe se tani është koha për hapa vendimtarë përpara, e jo për lojëra politike.

“​Maqedonia e Veriut i mori garancitë në momentin kur e përcaktoi kornizën negociuese. Aty janë të rregulluara të gjitha çështjet. Tani nuk duhet të keqpërdoret tema e BE-së”, tha Osmani.

Ai vuri në dukje se perspektiva evropiane e vendit është ngushtë e lidhur me sfidat historike dhe presionet nga “bota serbe”, e cila edhe sot funksionon si sistem paralel që e saboton agjendën evropiane.
“Tani ka dy opsione: ose je me BE-në ose je me botën serbe, zonë gri nuk ka. Ato janë të ndërlidhura. Çdo hap drejt BE-së është largim nga bota serbe. Dhe, a e keni vërejtur? Çdo kush që bën hap drejt BE-së, bëhet cak i sulmeve”, deklaroi Osmani.

Ai kujtoi edhe ngjarjet historike që tregojnë sa thellë është e rrënjosur kjo dilemë:
“E dini kur ndodhi atentati ndaj Gligorovit? Një ditë pasi u kthye nga Beogradi dhe shpalli se do të largohemi nga Jugosllavia. E dini pse çdo përpjekje për marrëveshje me Bullgarinë e me Greqinë, ose për afrimin e vendit drejt BE-së, has në demonizim dhe propagandë? Sepse çdo hap drejt BE-së është hap largimi nga bota serbe. Çdo hap prapa është hap drejt botës serbe”, tha Osmani.

Në fund Osmani e dënoi ashpër politikën e qeverisë aktuale, duke e akuzuar për servilizëm dhe bllokadë të perspektivës evropiane:

“Kjo qeveri e ka bllokuar perspektivën evropiane, prandaj jemi shndërruar në foshnjë të botës serbo-ruse, e cila i ka kapur të gjitha instrumentet”, përfundoi ai.