Delegacioni nga Universiteti i Illinois-it Verior – SHBA, zhvilloi disa aktivitete në Universitetin e Tetovës
Në kuadër të vizitës së tyre në Universitetin e Tetovës, delegacioni nga Kolegji i Edukimit i Northern Illinois University, i përbërë nga Dr. Mary Earick, Dr. Yenitza Guzman, Dr. Dana Isawi, Dr. Eric Junco, Kristin Lee dhe Makbule Irem Pilgir, më 18 shtator 2025, realizoi një agjendë të ngjeshur pune.
Në ambientet e Fakultetit Pedagogjik, anëtarët e delegacionit zhvilluan dy punëtori paralele me profesorë të shkollave të mesme dhe mësimdhënës të shkollave fillore, ku u diskutua mbi traumat dhe shkathtësitë socio-emocionale.
Pas punëtorive, mysafirët nga SHBA ndoqën një video-dokumentar mbi historikun e themelimit të Universitetit të Tetovës, i cili pasqyron rrugën e vështirë, sakrificat dhe rezistencën e popullatës shqiptare për themelimin e këtij institucioni të arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Maqedoninë e atëhershme.
Agjenda e ditës u përmbyll me vizitën në Muzeun Historik të Universitetit të Tetovës në fshatin Poroj, ku delegacioni u njoh nga afër me dëshmi autentike të themelimit të UT-së në vitin 1994, shtypin ditor dhe periodik të kohës, si dhe materiale të tjera me rëndësi që sot shërbejnë si objekt studimi për hulumtuesit vendas dhe ndërkombëtarë.
Në vijim, ata vizituan edhe qendrën rekreative-turistike Kodra e Diellit, ku u njohën me potencialet natyrore dhe turistike.