RajoniTop Lajme

Dogana zbulon stoli të pa deklaruara në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës

Shpërndaje

Gjatë një kontrolli rutinë në pikën e arritjes në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, oficerët doganorë identifikuan një rast të mosdeklarimit të mallrave nga një pasagjer që hyri në territorin e Kosovës.

Sipas Doganës, pasagjeri kaloi fillimisht nëpër kanalin e gjelbër, të destinuar për udhëtarët pa mallra për deklarim, por u përzgjodh për kontroll më të detajuar nga oficerët doganorë.

Njoftimi i plotë:

Zbulim i stolive të pa deklaruara gjatë kontrollit doganor në Aeroport
Prishtinë, 19 shtator 2025 – Gjatë një kontrolli rutinë në pikën e arritjes në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, oficerët doganorë identifikuan një rast të mosdeklarimit të mallrave nga një pasagjer që hyri në territorin e Republikës së Kosovës.
Pasagjeri kaloi fillimisht nëpër kanalin e gjelbër, të destinuar për udhëtarët pa mallra për deklarim, por u përzgjodh për kontroll më të detajuar nga oficerët doganorë.
Gjatë skanimit të bagazhit, u zbulua një sasi e konsiderueshme stoli argjendi, e cila, pas verifikimit, rezultoi të ishte 1.518,89 gram me një vlerë të faturuar prej 2.457,58 euro. Fatura u prezantua nga vetë pasagjeri vetëm pas zbulimit të rastit, ndërsa shmangia doganore ishte në vlerë prej 732,40 €.
Malli është ndaluar dhe i nënshtrohet procedurave të mëtejshme në përputhje me dispozitat e Kodit Doganor dhe Akcizës. Kundër personit në fjalë është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, ndërsa mallrat do të mbeten nën mbikëqyrje doganore deri në përfundimin e të gjitha procedurave ligjore të parashikuara me legjislacionin në fuqi.
Dogana e Kosovës vazhdon të jetë e përkushtuar në zbatimin e ligjit, në parandalimin e kontrabandës dhe në ndalimin e çdo përpjekjeje për shmangien e detyrimeve doganore. Apelojmë tek të gjithë qytetarët dhe udhëtarët që të respektojnë detyrimet ligjore lidhur me deklarimin e mallrave gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës.