Egjipti kundër zhvendosjes së palestinezëve: Është një vijë e kuqe, nuk do ta lejojmë të ndodhë
Në një deklaratë të fortë për media nga Lefkosia e Qipros, Abdelatty theksoi se:
“Dëbimi nuk është një opsion. Është vijë e kuqe për Egjiptin dhe nuk do ta lejojmë të ndodhë. Dëbimi masiv nënkupton pastrim etnik dhe fundin e çështjes palestineze. Nuk ekziston asnjë bazë ligjore apo morale për të dëbuar njerëz nga vendlindja e tyre.”
Deklarata e ministrit të jashtëm vjen në një moment kur mijëra banorë të qytetit të Gazës kanë refuzuar urdhrat e Izraelit për të braktisur zonën, pavarësisht bombardimeve të vazhdueshme dhe përkeqësimit të situatës humanitare.
“Ajo që po ndodh në terren është përtej çdo përfytyrimi. Po ndodh një gjenocid, me vrasje masive të civilëve, uri të qëllimshme dhe shkatërrim sistematik. Përgjegjës janë forcat izraelite,” tha Abdelatty.
Përkundër kritikave të ashpra, Egjipti vazhdon të luajë rol ndërmjetësues në negociatat për një armëpushim të mundshëm, në bashkëpunim me Katarin dhe Shtetet e Bashkuara, në përpjekje për t’i dhënë fund luftës që ka hyrë në vitin e dytë.
Izraeli ka mohuar me forcë akuzat për gjenocid dhe pohon se veprimet ushtarake në Gaza janë pjesë e së drejtës për vetëmbrojtje kundër Hamasit.
Sulmi ushtarak në qytetin e Gazës ka nisur më 10 gusht dhe, sipas përfaqësuesve të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), rreth 40% e qytetit ndodhet aktualisht nën kontrollin izraelit.
Megjithatë, kundërshtimi në rritje ndërkombëtar, përfshirë nga vendet partnere si Egjipti, po shton presionin diplomatik mbi Tel Avivin në lidhje me trajtimin e civilëve palestinezë dhe të ardhmen e konfliktit.