Maqedoni

Formohet Këshilli Kombëtar për hetime financiare dhe konfiskim të pasurisë

Shpërndaje

Qeveria dje miratoi vendimin për formimin e Këshillit Kombëtar për hetime financiare dhe konfiskim të pasurisë, duke parashikuar një hallkë shtesë në majë të strukturës koordinuese, përveç Komisionit Kombëtar për hetime financiare dhe konfiskim të pasurisë si organi më i lartë ekspertik, njoftojnë nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit.

Këshillin Kombëtar do ta udhëheqë Zëvendëskryeministri për politika të qeverisjes së mirë, Arben Fetai, ndërsa anëtarë do të jenë: ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Drejtësisë, ministri i Financave, Prokurori i Përgjithshëm i RMV-së, Kryetari i Gjykatës Supreme të RMV-së, drejtuesi i Zyrës për kthimin e pronës, drejtori i Byrosë për Siguri Publike, drejtori i Doganës, drejtori i Policisë Financiare, drejtori i Agjencisë për menaxhimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar dhe Kryetari i Komisionit Kombëtar për hetime financiare dhe konfiskim të pasurisë.

Kabineti i Zëvendëskryeministrit Fetai do të vazhdojë të ofrojë mbështetje politike, administrative dhe teknike për punën e Komisionit Kombëtar. Proceset dhe vendimet strategjike që realizohen në mënyrë të vazhdueshme dëshmojnë përkushtimin e Qeverisë për ndërtimin e kapaciteteve institucionale dhe sigurimin e kushteve për kryerjen e hetimeve financiare, konfiskimin dhe kthimin e pasurisë, si dhe menaxhimin e pasurisë së konfiskuar.

Sipas Qeverisë, shteti ndërtohet çdo ditë, dhe qytetarët duhet të jenë dëshmitarë të konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme dhe të kenë mundësi ta shfrytëzojnë atë përmes ridestinimit social.