Jahti luksoz 1 milionë dollarësh fundoset menjëherë pas nisjes në Turqi! (Video)
Një incident ndodhi të martën në brigjet e qytetit Zonguldak në Turqinë veriore, kur një jaht i ri luksoz me vlerë 800,000 euro u mbyt menjëherë pas nisjes së udhëtimit të tij të parë.
Sipas gazetës The Sun, jahti i quajtur Dolce Vento, me gjatësi rreth 24–30 metra, sapo kishte përfunduar ndërtimin në kantierin detar Med Yilmaz dhe ishte gati për të ofruar një përvojë të paharrueshme për pasagjerët e tij.
Nga pamjet e publikuara shihet se nisja në det ndodh pa probleme. Megjithatë, vetëm 15 minuta më vonë, ndodhi katastrofa: jahti filloi të humbiste ekuilibrin dhe u përmbys në det.
Në bord ndodheshin pronari, kapiteni dhe 2 anëtarë të ekuipazhit, të cilët arritën të shpëtojnë pa lëndime ndërsa një person shihet duke u ngjitur mbi pjesën e dukshme të jahtit që po fundosej dhe më pas hidhet në det.
Roja Bregdetare Turke dhe shërbimet e tjera të emergjencës reaguan menjëherë, duke marrë masa për të shmangur rreziqe të mëtejshme.
Operacionet për rikuperimin e anijes kanë nisur, ndërsa autoritetet e kantierit kanë njoftuar se do të kryhet një hetim i plotë për të zbuluar arsyet e fundosjes.
Sipas ekspertëve detarë, incidenti mund të jetë shkaktuar nga probleme në stabilitetin e anijes, veçanërisht në llogaritjen e lartësisë metacentrike – një gabim teknik i zakonshëm që mund të çojë në përmbysje të anijeve të reja.