RajoniTop Lajme

Kamberi: Futja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak ngjall shqetësim te shqiptarët në Luginë

Shpërndaje

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka paralajmëruar për pasojat e futjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi, duke e cilësuar këtë nismë si shqetësuese për shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Ai theksoi se kujtesa kolektive e shqiptarëve është ende e rënduar nga përvojat e dhimbshme gjatë kohës së Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ), ku shumë të rinj shqiptarë u trajtuan në mënyrë diskriminuese dhe pësuan tragjedi.

Për këtë, Kamberi njoftoi se ka dorëzuar në procedurë parlamentare një propozim për themelimin e një Komisioni të posaçëm, i cili do të hetojë rastet e vdekjeve të 135 ushtarëve shqiptarë në radhët e APJ-së gjatë viteve ’80. Shumë prej këtyre rasteve, siç ka shkruar ai, të regjistruara si “vetëvrasje” apo “aksidente”, sipas familjeve ishin të dyshimta, pasi trupat shpesh mbanin shenja dhune.

“Mungesa e hetimeve të pavarura ka forcuar bindjen se kemi të bëjmë me vrasje me motive etnike e politike. Është koha që Kuvendi të marrë përgjegjësi dhe të krijojë një Komision të posaçëm, ku do të përfshiheshin edhe përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe shoqërisë civile”, ka shkruar Kamberi në Facebook.

Sipas tij, drejtësia për viktimat është gurthemeli i pajtimit dhe i një të ardhmeje më të mirë për të gjithë qytetarët.