MaqedoniTop Lajme

Komisioni Venecias në Shkup për draft-Ligjin, Fetai: Ligji i ri do jetë shumë më adekuat se balancuesi

Shpërndaje

Një ekip i Komisioni i Venecias po qëndron në Shkup në kuadër të përgatitjeve të mendimit të tyre për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Sot ata zhvilluan një takim për çështjet e projektligjit nëse:

Ky ligj a e avancon përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, duke marrë parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e Balancuesit? A e promovon barazinë, nëpërmjet veprimit pozitiv dhe duke eliminuar barrierat e punësimit? A është projektligji në përputhje me parimet e tjera kushtetuese si liritë dhe të drejtat themelore, shprehjen e lirë të përkatësisë etnike, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e privatësisë së të gjithëve? A është mekanizëm efikas Trupi Koordinues i Qeverisë që themelohet me këtë ligj për sigurimin e respektimit, afirmimit, përmirësimit, avancimit dhe monitorimit të përfaqësimit të drejtë e adekuat?

Zëvendëskryeministri Arben Fetai thotë se kanë kërkuar mendim në Komisionin e Venecias që draft-ligji të jetë plotësisht konform Kushtetutës dhe standardeve evropiane, duke eliminuar çdo hapësirë për interpretime apo kontestime të mëvonshme.

“Ne besojmë se vlerësimi i Komisionit të Venecias për këto katër çështje do të jetë garanci për një ligj të fortë dhe të qëndrueshëm si në aspektin juridik-kushtetues ashtu edhe në atë institucional. Me këtë ligj përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, për herë të parë shndërrohet në një detyrim ligjor të qartë dhe të zbatueshëm për çdo institucion në nivel vendi dhe në nivel lokal”, tha Arben Fetai – zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë.

Pas pranimit të mendimit të Komisionit të Venecias, ligji do të nisë procedurat në Kuvend. Fetai u shpreh se janë të hapur edhe për propozimet e partive opozitare të ndërhyjnë në këtë projektligj përmes amendamenteve në seancat parlamentare.

“Nuk është se kemi parë ndonjë propozim konkret nga opozita, natyrisht që çfarëdo zgjidhje që vjen nga opozita që është në funksion të përmirësimit të standardit të jetesës së qytetarëve, të mirëqenies së tyre, të progresit të shtetit do të gjejnë mbështetjen edhe të shumicës parlamentare”, shtou zëvendëskryeminsitri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai.

Ky projektligj vjen pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi balancuesin, si mekanizëm i matjes së punësimeve në sektorin publik në bazë të përkatësisë etnike.