Kryediplomatët arabë dhe islamikë takohen në Doha për t’u përgatitur për samitin pas sulmit izraelit
Ministrat e jashtëm të vendeve arabe dhe islamike kanë filluar një takim me dyer të mbyllura në Doha për t’u përgatitur për një samit emergjent për të adresuar sulmin ajror izraelit në kryeqytetin e Katarit, transmeton Anadolu.
Takimi përgatitor pritet të formësojë agjendën e samitit arabo-islamik, që do të fillojë nesër në Doha duke mbledhur krerët e shteteve dhe zyrtarë të lartë nga i gjithë rajoni.
Samiti u thirr nga Katari në përgjigje të sulmit izraelit që shënjestroi udhëheqësit e Hamasit në Doha të martën, që vrau pesë anëtarë të grupit dhe një oficer të sigurisë së Katarit.
Katari, së bashku me SHBA-në dhe Egjiptin, ka qenë ndërmjetës në negociatat për t’i dhënë fund luftës izraelite në Gaza, ku të paktën 64.900 palestinezë janë vrarë që nga tetori i vitit 2023.