RajoniTop Lajme

Kryeministri Kurti: Heroi Afrim Bunjaku, dëshmor i mbrojtjes së territorialitetit të shtetit të Kosovës

Shpërndaje

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore në kujtim dhe nderim të Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, në dyvjetorin e rënies së tij në Banjskë të Zveçanit. Kjo Akademi u organizua nën patronatin e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se në rrugën aq të gjatë dhe të vështirë të çlirimit dhe të shtetndërtimit nëpër të cilën ka kaluar atdheu ynë, 24 shtatori i vitit 2023, do të jetë një nga datat kyçe në kronologjinë e historisë së Republikës së Kosovës, kurse sot më 24 shtator 2025, jemi bërë bashkë për ta kujtuar Afrim Bunjakun, emrin e përveçëm të policit hero që u vra gjatë rezistencës shtetërore të para dy viteve, për sundimin e ligjit dhe lirinë e lëvizjes, mbrojtjen e territorit të Kosovës.

“Më 24 shtator 2023, shteti i Kosovës u përball me sulmin më agresiv dhe më të rrezikshëm ndaj sovranitetit dhe tërësisë së republikës. Kjo pasi në orët e para të mëngjesit, një grup terroristësh serbë, të armatosur rëndë dhe të trajnuar për operacione detyrash ushtarake, kryen një agresion me qëllim të marrjes nën kontrollë dhe shkëputjes së një pjese të territorit të shtetit të Kosovës në veri të tij. Por reagimi profesional, i vendosur dhe i guximshëm i policëve të Kosovës, e dështoi këtë operacion, duke e mbrojtur tokën e Kosovës, paprekshmërinë e territorit dhe pandashmërinë e Republikës”, deklaroi kryeministri.

Më tej ai shtoi: “Atë ditë i rënë në krye të detyrës, heroi Afrim Bunjaku, është dëshmor i mbrojtjes së territorialitetit të shtetit të Kosovës, hero i guximit profesional dhe i respektimit të detyrave policore dhe i betimit në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht, duke iu përgjigjur detyrës së tij edhe patriotike si dhe duke i shkuar asaj deri në fund edhe me dhënien e jetës për ruajtjen e lirisë së hapësirës territoriale të Kosovës, Rreshteri Afrim Bunjaku është dëshmor i lirisë së Kosovës”.

Ai ritheksoi faktin se grupi i terroristëve serbë që e sulmoi Kosovën në veri të saj e që më 24 shtator 2023 ishte përqendruar në Banjskë të Zveçanit, ishte një grup paraushtarak i organizuar, i trajnuar, i instruktuar dhe i financuar nga shteti i Serbisë dhe se tashmë ka dëshmi e videoxhirime që në krye të grupit kriminal ishte Millan Radoiçiq, që në atë kohë ishte nënkryetar i partisë Lista Serbe.

“Sot, në dyvjetorin e sulmit në Banjskë, më lejoni të theksoj që Millan Radoiçiqi, personi për të cilin kemi dëshmi të pamohueshme se ka qenë i përfshirë dhe në krye të grupit në Banjskë, ka aktakuzë të ngritur në Kosovë dhe ndonëse edhe vet e ka pranuar përgjegjësinë për organizimin dhe sulmin në Banjskë, ai është liruar nga paraburgimi një ditë pas arrestimit në Serbi, kurse tash e dy vite është edhe i lirë edhe aktiv në Beograd”, tha ai, duke i bërë thirrje Misionit për drejtësi të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX-i, i cili e monitoron dhe e mentoron sistemin tonë të drejtësisë, që t’i bashkohet kërkesës së Kosovës për dorëzimin e Millan Radoiçiqit autoriteteve të rendit dhe të drejtësisë në Kosovë.

Në fund të fjalës, ai përgëzoi policët e Kosovës që kanë marrë pjesë në operacionin e 24 shtatorit 2023 për mbrojtjen e territorit të Kosovës nga Serbia, gjatë sulmit kriminal me qëllime aneksuese në Banjskë.

“Historia e shtetit të Kosovës do t’ju nderoj dhe do t’ju kujtoj për profesionalizmin dhe guximin tuaj, si dhe për shërbimin që ia keni bërë Republikës”, tha ai.

Lavdi heroit Afrim Bunjaku, dëshmorit të lirisë së pacënueshme të Republikës së Kosovës!

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuari z.Dimal Basha, kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe znj. Albulena Haxhiu, nënkryetare e Kuvendit,
I nderuari z Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme,
I nderuari z. Petrit Ajeti, drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë,
I nderuari kolonel Gazmend Hoxha, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës,
E nderuara familje Bunjaku, bashkëshorte Lumnije, vajza Arbenitë, djemtë Fatlumi e Jetlumi, vëllai Mujë Bunjaku,
Të nderuar përfaqësues të korit diplomatikë në Kosovë,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,
Të nderuar zyrtarë policorë, kolegë të Rreshter Afrim Bunjakut,
Të nderuar invalidë e veteranë të luftës çlirimtare,
Të nderuara familje të dëshmorëve të kombit,
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Të nderuar të pranishëm,
Motra e vëllezër,
Zonja dhe zotërinj,

Në rrugën aq të gjatë dhe të vështirë të çlirimit dhe të shtetndërtimit nëpër të cilën ka kaluar atdheu ynë, 24 shtatori i vitit 2023, do të jetë një nga datat kyçe në kronologjinë e historisë së Republikës së Kosovës. Andaj sot, më 24 shtator 2025, jemi bashkuar në këtë akademi përkujtimore për ta kujtuar Afrim Bunjakun, emrin e përveçëm të policit hero që u vra gjatë rezistencës shtetërore të para dy viteve, për sundimin e ligjit dhe lirinë e lëvizjes, për mbrojtjen e territorit të Kosovës.

Atë ditë të diel, më 24 shtator 2023, shteti i Kosovës u përball me sulmin më agresiv dhe më të rrezikshëm ndaj sovranitetit dhe tërësisë së republikës. Kjo pasi në orët e para të mëngjesit, një grup terroristësh serbë, të armatosur rëndë dhe të trajnuar për operacione detyrash ushtarake, kryen një agresion me qëllim të marrjes nën kontrollë dhe shkëputjes së një pjese të territorit të shtetit të Kosovës në veri të tij. Por reagimi profesional, i vendosur dhe i guximshëm i policëve të Kosovës, e dështoi këtë operacion, duke e mbrojtur tokën e Kosovës, paprekshmërinë e territorit dhe pandashmërinë e Republikës.
Në orët e hershme të mëngjesit të 24 shtatorit 2023, pasi Njësiti i Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit kishte raportuar se hyrja në fshatin Banjskë të Zveçanit ishte bllokuar nga dy kamionë, Mbikqyrësi i Ekipit Patrullues në Stacionin Policor të Zveçanit, Rreshteri Afrim Bunjaku, që atë natë ishte edhe shef i ndërrimit, u nis me kolegët e tij drejt vendit të ngjarjes. Në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit, ata u sulmuan nga një minë kundërkëmbësore e telekomanduar nga distanca, pasuar nga rafale armësh të ndryshme.

Me atë rast u plagos zyrtari policor Alban Rashiti, kurse Rreshteri Afrim Bunjaku vdiq nga plagët. Pas kësaj, në Banjskë pasoi një operacion i gjerë policor që e dështoi planin aneksues të grupit terrorist paraushtarak të Serbisë në Banjskë, që i la të vrarë të paktën tre pjesëtarë të këtij grupi, kurse e neutralizoi rrezikun prej pjesëtarëve të tjerë.

Atë ditë i rënë në krye të detyrës, heroi Afrim Bunjaku, është dëshmor i mbrojtjes së territorialitetit të shtetit të Kosovës, hero i guximit profesional dhe i respektimit të detyrave policore dhe i betimit në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht, duke iu përgjigjur detyrës së tij edhe patriotike si dhe duke i shkuar asaj deri në fund edhe me dhënien e jetës për ruajtjen e lirisë së hapësirës territoriale të Kosovës, Rreshteri Afrim Bunjaku është dëshmor i lirisë së Kosovës.

Grupi i terroristëve serbë që e sulmoi Kosovën në veri të saj e që më 24 shtator 2023 ishte i përqendruar në Banjskë të Zveçanit, ishte një grup paraushtarak i organizuar, i trajnuar, i instruktuar dhe i financuar nga shteti i Serbisë. Të gjithë pjesëtarët e atij grupi janë stërvitur nga ushtria, xhandarmëria dhe policia serbe, si dhe janë furnizuar me armë, me municione dhe me pajisje të prodhuara në fabrikat shtetërore të industrisë së armatimit në Serbi. Se sa serioz ishte plani aneksues i Serbisë karshi territorit të Republikës së Kosovës atë ditë, e ka treguar sasia aq e madhe e armatimit, e municioneve, e uniformave dhe e pajisjeve taktike ushtarake, e makinave të blinduara dhe të adaptuara për operacione ushtarake, e hartave dhe e pajisjeve të llojllojshme teknologjike, që janë kapur në fshatin Banjskë në ditët e para pas operacionit. Që ky plan operacional ishte menduar të shtrihej në një zonë të gjerë të veriut të vendit tonë me qëllim shkëputjen e tij, është dëshmuar edhe nga faktet që edhe dy vite më pas, deri para pak ditësh policia e Kosovës ka vazhduar të gjejë armë, municione, uniforma dhe pajisje të ndryshme ushtarake nëpër lokacione të ndryshme në veri, e ka dëshmi se kanë lidhje me të njëjtat aktivitete kriminale. Ndërkaq, shumë informacione janë mësuar nga materialet e kapura në atë zonë dhe nga procesi gjyqësor që po zhvillohet kundër disa pjesëtarëve të grupit terrorist serb të Banjskës.

Siç e kemi parë edhe nga videoxhirimet e bëra me dron më 24 shtator 2023, në krye të grupit kriminal ishte Millan Radoiçiq, që në atë kohë ishte nënkryetar i partisë Lista Serbe. Pavarësisht kësaj, Lista Serbe asnjëherë nuk e ka dënuar sulmin terrorist në Banjskë.
Në këtë pikë, më lejoni ta them sa më qartë: as Lista Serbe dhe asnjë parti apo organizatë, e fshehtë apo legale, nuk do të mund, sepse nuk do të lejohet ta heq asnjë grimë nga territori, nga sovraniteti apo nga pavarësia e Republikës së Kosovës. Kjo sepse Kosova është dhe do të vazhdojë të mbetet histori e suksesshme e shtetndërtimit, për të cilën paraprakisht janë mbajtur mijëra e mijëra vite burgosje politike; janë vrarë mbi dy mijë dëshmorë gjatë luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe janë vrarë e masakruar mijëra viktima civile të paarmatosura, në luftë pikërisht me Serbinë, e cila jo vetëm që të kaluarën e ka kriminale dhe gjenocidale nga luftërat në Ballkan, por edhe politikat aktuale me fqinjët vazhdon t’i ketë destabilizuese dhe hegjemoniste.

Në këtë rrugëtim suksesi, Kosova dhe populli i saj, as nuk kanë qenë as nuk janë të vetëm. Ne i kemi patur dhe i kemi në krah shtetet dhe popujt me të cilët ndajmë vlerat e përbashkëta të lirisë, të demokracisë dhe të prosperitetit. Në radhë të parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështetësen e fuqishme dhe të vazhdueshme të shtetëndërtimit në Kosovë, pastaj Britania e Madhe dhe Gjermania, Italia dhe Franca, Turqia dhe Kroacia, si dhe natyrisht Shqipëria, shteti që flet shqip dhe që në shqip do të na shpreh mirëseardhje një ditë në aleancën e NATO-s.

Sot, në dyvjetorin e sulmit në Banjskë, më lejoni të theksoj që Millan Radoiçiqi, personi për të cilin kemi dëshmi të pamohueshme se ka qenë i përfshirë dhe në krye të grupit në Banjskë, ka aktakuzë të ngritur në Kosovë dhe ndonëse edhe vet e ka pranuar përgjegjësinë për organizimin dhe sulmin në Banjskë, ai është liruar nga paraburgimi një ditë pas arrestimit në Serbi, kurse tash e dy vite është edhe i lirë edhe aktiv në Beograd.

Ndërkaq shtetasi i Kosovës, Arbnor Spahiu, që akuzohet nga Serbia se ka qenë i përfshirë si polic në rastin e Banjskës, ndonëse ai nuk ka qenë fare pjesëtar i Policisë së Kosovës kur Banjska kishte ndodhur, madje ai prej kohesh jetonte në Gjermani, po mbahet në paraburgim që nga 7 qershori, tash e 110 ditë. Bashkësia ndërkombëtare fatkeqësisht ka dështuar ta trajtojë me sukses si njërin ashtu edhe tjetrin rast, ndonëse te i pari kemi të bëjmë me një kriminel terrorist ndërkombëtar, kurse te i dyti thjesht me një qytetar që po i shkelen liritë dhe po i dhunohen të drejtat, ndonëse kurrë nuk ka patur probleme me ligjin.

Misioni për drejtësi i Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX-i, i cili e monitoron dhe e mentoron sistemin tonë të drejtësisë, duhet t’i bashkëngjitet kërkesës së Kosovës për dorëzimin e Millan Radoiçiqit autoriteteve të rendit dhe të drejtësisë në Kosovë. Ne jemi shtet demokratik dhe sigurojmë proces të drejtë gjyqësor, për secilin, pavarësisht peshës së rëndë të veprës në këtë rast, apo përkatësisë etnike të të akuzuarve.

Vetë struktura e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës e dëshmon dhe e shpërfaq këtë. Ta zëmë, që nga marsi i vitit 2021 deri në korrik të vitit 2025, kur në Policinë e Kosovës janë rekrutuar 2731 pjesëtarë të ri, 2368 prej tyre janë shqiptarë; ndërsa 208 janë pjesëtarë serbë; 86 janë boshnjakë; 23 turq; 20 egjiptianë; 19 ashkali; 9 romë; 3 goranë dhe 1 çerkez. Përbërja e policisë së Kosovës është multi-etnike. Kosova e ka një ndër policitë më profesionale dhe të mirëtrajnuara, me nivel të lartë të kontrollit demokratik dhe me barazi të brendshme.

Ju lumtë policëve të Kosovës që kanë marrë pjesë në operacionin e 24 shtatorit 2023 për mbrojtjen e territorit të Kosovës nga Serbia, gjatë sulmit kriminal me qëllime aneksuese në Banjskë. Historia e shtetit të Kosovës do t’ju nderojë dhe do t’ju kujtojë për profesionalizmin dhe guximin tuaj, si dhe për shërbimin që ia keni bërë Republikës.

Lavdi heroit Afrim Bunjaku, dëshmorit të lirisë së pacenueshme të Republikës së Kosovës!

Ju faleminderit!