Kryesia e Kuvendit të Kosovës mblidhet për të diskutuar funksionimin e institucionit
Kryesia e Kuvendit të Kosovës mblidhet sot për të diskutuar hapat e mëtejshëm për funksionimin e institucionit ligjvënës, edhe pse ende nuk dihet se kush do të marrë pjesë.
Mbledhja u thirr të shtunën nga kryetari Dimal Basha, i cili e shpalli të përfunduar seancën konstituive, megjithëse nuk ishte zgjedhur nënkryetari nga radhët e komunitetit serb.
Në tri vazhdime të seancës, kandidatët e këtij komuniteti nuk arritën të siguronin 61 votat e nevojshme.
Sipas rregullores së punës së Kuvendit, seanca konstituive përfundon vetëm me zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve.
Në nenin 67 të Kushtetutës thuhet se Kuvendi duhet të ketë kryetarin dhe pesë nënkryetarë.
Katër nënkryetarë – tre nga komuniteti shqiptar dhe një nga pakicat joserbe – u zgjodhën më 26 gusht, së bashku me kryetarin.
Ndërkohë, të nëntë kandidatët e Listës Serbe dhe kandidati i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë dështuan të marrin votat e mjaftueshme.
Basha deklaroi se të gjitha mundësitë për zgjedhjen e nënkryetarit serb janë shteruar, ndaj seanca konstituive konsiderohet e mbyllur.
Qëndrimin e tij e mbështetën edhe bashkëpartiakët në Lëvizjen Vetëvendosje, të cilët kërkuan që vendi të kalojë tani në fazën e formimit të Qeverisë së re.
Megjithatë, partitë ish-opozitare e kundërshtuan këtë vendim, duke argumentuar se Kuvendi nuk është ende i konstituuar, pasi Kryesia nuk është zgjedhur në përbërjen e saj të plotë kushtetuese.
Disa ekspertë ligjorë paralajmëruan se situata mund ta çojë vendin drejt një krize të re kushtetuese.
Që nga 15 prilli janë bërë dhjetëra përpjekje për konstituimin e Kuvendit, por pa sukses, për shkak të mosmarrëveshjeve politike.
Çështja ka përfunduar edhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka nxjerrë dy aktgjykime me afate dhe udhëzime për mënyrën e zhvillimit të procesit.
Afati i parë nuk u respektua, ndërsa i dyti përfundon më 18 shtator.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e ka detyrim ligjor të mandatojë partinë ose koalicionin fitues për formimin e Qeverisë pas konstituimit të Kuvendit, u bëri thirrje forcave politike të gjejnë një zgjidhje në përputhje me Kushtetutën sa më shpejt që të jetë e mundur.
Ajo nuk e komentoi vendimin e Bashës për ta shpallur të mbyllur seancën konstituive.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi ekipin e saj për hapat që mund t’i ndërmarrë, por nuk mori ndonjë përgjigje./rel