Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, uron Kryeministrin Edi Rama për mandatin e katërt qeverisës
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, uron Kryeministrin Edi Rama për mandatin e katërt qeverisës Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, z. Arben Taravari, ka uruar Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, me rastin e betimit për mandatin e katërt qeverisës.
Postimi i plotë:
I nderuari Kryeministër i Republikës së Shqipërisë,
z. Edi Rama,
Me rastin e betimit tuaj për Kryeministër të Republikës së Shqipërisë, në emër të Aleancës për Shqiptarët dhe në emrin tim personal, ju uroj sinqerisht suksese në këtë përgjegjësi të lartë shtetërore. Po ashtu, më lejoni të përcjell urimet e mia edhe për kabinetin tuaj qeveritar, me dëshirën që puna e përbashkët e kësaj qeverie të sjellë rezultate të prekshme për qytetarët.
Ky mandat i katërt është dëshmi e legjitimitetit të fuqishëm që qytetarët shqiptarë ju kanë dhënë, duke besuar në vizionin dhe programin politik tuaj për një jetë më të mirë për shqiptarët dhe për Shqipërinë. Ky besim, njëkohësisht, është edhe përgjegjësi e madhe për të çuar përpara zhvillimin ekonomik të vendit, forcimin e demokracisë dhe për të vazhduar më tej me ndërtimin e një shteti të drejtë e modern.
Besojmë se gjatë këtij mandati, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të jetë arritja kryesore dhe më e madhe historike, të cilën e presin jo vetëm qytetarët e Shqipërisë, por edhe mbarë kombi shqiptar.
Ju dëshiroj shëndet, vullnet dhe vendosmëri në këtë rrugëtim sfidues, duke e ditur se suksesi i Shqipërisë është edhe sukses i gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë.
Vëllazërisht,
Arben Taravari
Kryetar i Aleancës për Shqiptarët