Kurti paraqitet në gjykatë ku Faton Klinaku akuzohet për kanosje ndaj tij
Faton Klinaku do të dalë sot përpara trupit gjykues në Gjykatën Themelore të Prishtinës, nën cilësinë e të dyshuarit për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Kurti tashmë ka arritur në gjykatë.
Prokuroria Speciale e Kosovës në muajin gusht kishte njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
Aktakuza është ngritur ndaj Faton Klinakut për veprën penale “Kanosja”, dhe ndaj një të pandehuri tjetër N.S., ishte bërë e ditur në një njoftim.
“Sipas aktakuzës, më 29.08.2023, i pandehuri F.K., me qëllim që ta frikësojë dhe ta detyrojë personin zyrtar tani të dëmtuarin A.K., në cilësinë e tij si kryeministër i Republikës së Kosovës, që të ndërmarrë ose të mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës së tij zyrtare, e ka kanosur atë përmes profilit të tij personal në rrjetin social ‘Facebook’, duke postuar shkrime me përmbajtje kërcënuese”, ka njoftuar Prokuroria.
Pas reagimeve të opinionit publik lidhur me kërcënimin e përmendur, më 30.08.2023, i pandehuri F.K. thuhet se ka përsëritur një postim me përmbajtje të njëjtë kërcënuese ndaj të dëmtuarit, ku thuhet “… Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova”.
Ndërkohë, i pandehuri tjetër, N.S., thuhet se e ka kanosur me vrasje Kurtin përmes postimeve publike në rrjetin social “Facebook”, për shkak të funksionit të tij, siç thuhet ”duke iu referuar postimit kërcënues të bërë nga i pandehuri F.K”