MaqedoniTop Lajme

Mbështetje nga Ukraina për Osmanin – Mirënjohje për përkrahjen në kauzën anti-ruse

Shpërndaje

Ish-Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba, dërgoi një mesazh të fuqishëm dhe emocional me video, në mbështetje të Bujar Osmanit dhe kandidaturës së tij për kryetar të Komunës së Çairit.

Në mesazh, Kuleba i falënderoi popullit maqedonas për përkrahjen ndaj Ukrainës gjatë pushtimit rus, por njëkohësisht u ndal posaçërisht edhe te roli i Osmanit si ministër i jashtëm i Maqedonisë së Veriut dhe kryesues i OSBE-së.

„Ne, ukrainasit, jemi mirënjohës për përkrahjen tuaj. Përgjithmonë do ta kujtojmë me mirënjohje që gjatë tri viteve të fundit kombi juaj krenar qëndroi pranë Ukrainës“, tha Kuleba, duke theksuar se Maqedonia dhe institucionet e saj treguan solidaritet të vërtetë në momentet më të vështira.

Më tej, Kuleba foli personalisht për Osmanin:

„Bujar Osmani është miku im që e drejtoi diplomacinë tuaj dhe e udhëhoqi OSBE-në gjatë kryesimit nga RMV. Ai është politikan i njohur dhe jam i sigurt se e respektoni po aq sa e respektoj edhe unë.“

Ministri nga Ukraina shprehu mbështetje të fortë për kandidaturën e Osmanit, duke e vlerësuar si njeri jashtëzakonisht të përkushtuar dhe të ndershëm:

„Jam i bindur se do t’ju shërbejë me cilësi të lartë, integritet dhe përkushtim. Ai e do Maqedoninë, ju do juve, i do qytetet dhe fshatrat tuaja. Ai është njeri që meriton besim. Këtë e mësova në momentet më të vështira të pushtimit.“

Kuleba theksoi gjithashtu se përvoja dhe rrjeti i kontakteve ndërkombëtare që Osmani ka fituar gjatë viteve të fundit janë burim i paçmuar për çdo vetëqeverisje lokale që dëshiron të përparojë dhe të shfrytëzojë fondet dhe përkrahjen evropiane.

Në fund, Kuleba përcolli përshëndetje të ngrohta për qytetarët e Çairit, duke iu dëshiruar fat dhe stabilitet, me mesazhin se miqësia mes popujve ndërtohet edhe përmes liderëve që e dinë se çfarë do të thotë përgjegjësi dhe solidaritet në politikën ndërkombëtare.