MaqedoniTop Lajme

Memet Neziri do të jetë bartës liste i AKI-së në Zhelinë, Emir Sulejmani: Zëri i popullit do të përfaqësohet nga njerëz të ndershëm

Shpërndaje

Kandidati për kryetar të Zhelinës nga radhët e AKI-së, Emir Sulejmani ka njoftuar se Memet Neziri do të jetë bartës i listës së këshilltarëve të këtij koalicioni në Komunën e Zhelinës.

Njoftimi i plotë nga Kandidati për Kryetar të Komunës së Zhelinës, Emir Sulejmani:

“Të dashur qytetarë të Komunës së Zhelinës!

Nga fshati Zhelinë, zemra e komunës sonë, sot ju prezantojmë me krenari bartësin e listës sonë nga radhët e koalicionit AKI, Memet Neziri.
Memeti është njëri prej nesh, i rritur në mesin e qytetarëve, i rritur me hallet dhe shpresat që kemi të gjithë.
Ai nuk vjen nga karriget e buta të pushtetit, por nga rruga e ndershmërisë dhe e punës.
Prandaj edhe e din më së miri se çfarë pret populli ynë, kushte më të mira për familjet, mbështetje për të rinjtë, zhvillim për fshatrat tona dhe fundin e premtimeve boshe që na kanë lodhur për vite me radhë.
Me Memetin si bartës të listës, ne po dërgojmë një mesazh të qartë, politika nuk është privilegj i pak njerëzve, por është përgjegjësi ndaj secilit qytetar. Është koha që zëri i popullit të përfaqësohet nga njerëz të ndershëm, të drejtë dhe të guximshëm.
Bashkë me Memetin dhe gjithë ekipin tonë, ne besojmë se Zhelina mund dhe do të ndryshojë.
Ky është fillimi i një rruge të re ku fjala e qytetarëve ka vlerë dhe ku askush nuk mbetet pas”.