MaqedoniTop Lajme

Mexhiti: Do të subvencionojmë 200 automjete elektrike për taksistët

Shpërndaje

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, sot në një takim pune me Unionin e Shoqatave të Taksistëve prezantoi projektin për subvencionimin e 200 automjeteve të para elektrike për taksistët, si pjesë e përpjekjeve të ministrisë për transport urban më të pastër, më të qetë dhe më efikas për qytetarët e Shkupit dhe të gjithë vendit.

Postimi i plotë:

Ministria e ekologjisë, për ajër të pastër e të shëndetshëm!
Sot, në takim me Unionin e Shoqatave të Taksistëve, diskutuam për nisjen një procesi, që do të prekë drejtpërdrejt jetën e çdo qytetari: taksitë elektrike për qytetin tonë dhe gjithë shtetin!
Nuk flasim për ide të largëta, por për hapa të matshëm që do të shihen dhe ndihen në rrugët tona, në ajrin që marrim frymë, në përditshmërinë e secilit prej nesh.
Po sjellim 200 vetura elektrike për taksistët, me mbështetje direkte nga shteti. Modernizim të automjeteve të vjetra, që deri dje ndotnin ajrin dhe rëndonin qytetin.
Dhe shifrat flasin vetë: çdo vit do të kursehen 2768 ton CO₂, e njëjta gjë sikur të mbillnim 120,000 pemë të reja. Vetëm për këtë fazë, Ministria e Mjedisit ndan 840,000 € mbështetje direkte për taksistët, për ta bërë këtë ndryshim të arritshëm dhe të prekshëm.
Deri më tani kemi inicuar gjithashtu edhe projekte të tjera, që po ndryshojnë transportin dhe hapësirat urbane:
Sistemin Car Sharing me 100 vetura elektrike për përdorim publik.
Trotinete dhe biçikleta elektrike në disa qytete.
Dhurimin e 6 autobusëve elektrikë për Shkupin.
Mbjelljen e dhjetëra mijëra fidaneve në gjithë vendin.
Dhe së shpejti, do të sigurojmë 100-120 autobuse elektrike për qytetet urbane.
Ky është dallimi ynë me të tjerët: ata premtonin, ne veprojmë. Ata flisnin, ne llogarisim dhe sjellim rezultat. Sot vendosim themelet e një Shkupi dhe shteti më të pastër, më të qetë dhe mbi të gjitha, më të shëndetshëm.
Qyteti do të jetë me ajër më të pastër, më pak zhurmë, dhe një transport urban modern, sipas standardeve evropiane.
Kjo është politika që shërben qytetarit. Ky është vizioni ynë për Shkupin. Dhe ky është ndryshimi që do ta ndjeni çdo ditë.
Urime!