Mexhiti, lajm i mirë për Hasanbegun: Nis rikonstruksioni i plotë i kanalit atmosferik
Zv.kryeministri dhe kandidati për kryetar komune, Izet Mexhiti, solli lajmin që Hasanbegu ka pritur për vite me radhë: nisjen e rikonstruksionit të plotë të kanalit atmosferik. Ky projekt madhor, i shumëkërkuar nga qytetarët, është garanci për sigurinë dhe zhvillimin e banorëve, duke i dhënë fund frikës nga përmbytjet dhe duke hapur një kapitull të ri për të ardhmen e kësaj zone.
Postimi i plotë:
Lajm i mirë për Hasanbegun: Nis rikonstruksioni i plotë i kanalit atmosferik
Hasanbegu më në fund po merr atë që e ka pritur për vite të tëra: ka nisur rikonstruksioni i plotë i kanalit atmosferik, një projekt jetik dhe i domosdoshëm. Ky është një investim që do të ndryshojë realitetin, do të sjellë siguri, mbrojtje dhe zhvillim për mijëra banorë.
Kjo ndërhyrje në këtë kanal, i cili ka gjatësi 1350 metra dhe gjerësi deri në 10 metra, do të krijojë barrikadën e fortë që do ta mbrojë Hasanbegun nga çdo rrezik i përmbytjeve. Është përgjigjja konkrete, ndonëse e vonuar, ndaj tragjedisë së vitit 2016, kur përmbytjet morën 23 jetë njerëzish, lanë pas dhimbje, shkatërrim dhe plagë të pashlyera. Atëherë, mungesa e investimeve dhe keqqeverisja e BDI-së i kushtoi Hasanbegut me jetë njerëzish. Sot, ne po tregojmë se jeta e qytetarëve është mbi gjithçka.
Në shkurt paralajmërova se ky kanal do të rikonstruohet plotësisht. Sot, premtimi po bëhet realitet. Ky projekt madhor, në vlerë prej 38 milionë denarësh, po realizohet nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me Komunën e Gazi Babës. Ky është shembulli më i qartë se kur qeveria bashkëpunon me komunat dhe i dëgjon qytetarët, jeta e tyre ndryshon rrënjësisht.
Hasanbegu ka paguar shumë shtrenjtë për shkak të neglizhencës së së kaluarës. Sot koha e harresës ka marrë fund. Ky investim është garanci për jetën, për pronën dhe për të ardhmen e banorëve.
Me këtë projekt, po i japim fund frikës dhe pasigurisë, dhe po i hapim derën sigurisë, zhvillimit dhe besueshmërisë. Hasanbegu do të marrë jo vetëm këtë investim, por edhe të gjithë vëmendjen dhe kujdesin që gjithmonë i ka munguar, por që gjithmonë e ka merituar.
Urime!