Maqedoni

Mexhiti: Me vendim të Qeverisë, Universitetit ‘Nënë Tereza’ i jepen në pronësi 31,434 m² tokë shtetërore-hapet rruga për kampusin e ri

Shpërndaje

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë është marrë një vendim historik për arsimin e lartë në vend, Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup i është dhënë në shfrytëzim të përhershëm tokë prej 31.434 m², mbi të cilën do të ngrihet kampusi i ri universitar me një investim madhor prej 40 milionë euro. Ky vendim u prezantua nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, i cili theksoi se ky është një investim në dije, ëndrra dhe mundësi të barabarta për të gjithë studentët.

Sipas Mexhitit, kampusi i ri do të jetë një hap gjigant drejt modernizimit të arsimit në gjuhën shqipe, duke e kthyer Çairin në qendrën kryesore të dijes dhe zhvillimit akademik. “Me këtë projekt, ne po vendosim themelet e një universiteti modern, që do të ofrojë kushte të denja për studim dhe kërkim shkencor, duke u bërë vatër e gjallë e dijes ku mijëra studentë do të ndërtojnë rrugën e tyre drejt së ardhmes”, u shpreh ai. Ky investim konsiderohet si një nga projektet më të mëdha arsimore në vend, që do të forcojë infrastrukturën e arsimit të lartë dhe rolin e tij si shtyllë themelore e shoqërisë.