Mickoski në Ditën e Pavarësisë: Rritja e natalitetit, prioritet kombëtar madhor
“Do të bëhemi! Duhet të bëhemi”, – tha kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij me rastin e 8 Shtatorit – Ditës së Pavarësisë, duke i kushtuar vëmendje të posaçme çështjes së natalitetit, që siç theksoi, është prioritet kombëtar i lartë.
Mickoski theksoi se kërcënimi më i madh për shoqërinë maqedonase nuk janë vetëm sfidat ekonomike dhe politike, por rënia e natalitetit dhe emigrimi i të rinjve.
“Nuk mund të jem i qetë kur e di se po bëhemi gjithnjë e më pak. Kot ndërtojmë rrugë nëse nuk ka kush të vozisë mbi to, kot ndërtojmë shkolla nëse bankat janë bosh ose fusha lojërash nëse mungon zhurma e fëmijëve në to,” tha kryeministri.
Ai prezantoi të dhëna konkrete për rënien e numrit të nxënësve të klasës së parë: në Manastir, nga 960 nxënës në vitin 2015, numri në vitin 2025 është ulur në 651; në Tetovë, nga 1.076 në vitin 2022, këtë vit ka 940; në Ohër, nga 560 në vitin 2022, numri është ulur në 440; ndërsa në Radovish, vetëm për tre vite, numri i nxënësve të klasës së parë ka rënë nga 208 në 139.
“Këto shifra nuk janë vetëm statistika. Ato janë histori klasash të mbyllura, fushash lojërash të zbrazura, qytetesh dhe fshatrash që ngadalë po zbrazen,” theksoi Mickoski.
Kryeministri tha se Qeveria e vendos çështjen e natalitetit si një nga prioritetet më të larta kombëtare.
“Filluam me reforma, e rritëm numrin e procedurave in-vitro nga 3 në 6. Do të vazhdojmë të mbështesim familjet e reja, çdo fëmijë të porsalindur dhe të sigurojmë siguri për prindërit dhe të ardhme për fëmijët e tyre. Kjo nuk është vetëm çështje ekonomie, kjo është çështje mbijetese,” tha ai.
Në fjalim, Mickoski nënvizoi se e ardhmja e Maqedonisë varet nga krijimi i një sistemi që do ta inkurajojë gjeneratën e re të qëndrojë në vend, të formojë familje dhe të besojë në të ardhmen e saj.
“Vizoni ynë është një vend ku buzëqeshja e fëmijës do të jetë vlera më e madhe, ku e ardhmja nuk shihet në emigrim, por në krijim,” shtoi ai.
“Prandaj, sot duhet të marrim vendim: të mos e lëmë atdheun të shuhet ngadalë, por me të gjitha forcat ta rikthejmë shpresën, gëzimin dhe buzëqeshjen e fëmijës në çdo shtëpi,” tha kryeministri Mickoski.
Edhe pse në fillim paralajmëroi se nuk do të fliste për tema ditë-politike, kryeministri iu referua edhe problemit me “përgjimin e paligjshëm”, që sipas tij, është bërë për dekada nga pothuajse të njëjtët njerëz.
“Përgjimet dhe ndjekjet kanë ndodhur që nga vitet ’90. Dhe një e njëjta strukturë, pothuajse të njëjtët njerëz dhe operativë, të afërt me ndonjë pushtet të kaluar, operojnë me sistemin. Me hapa të tillë goditen themelet e demokracisë,” tha ai.
Kryeministri theksoi se të gjitha materialet për ndjekjen e paligjshme janë dorëzuar në prokurori, por paralajmëroi:
“Këtë rast do ta ndjekim nga afër dhe vetëm të dinë se kjo punë nuk do të fshihet nën qilim. Kjo është çështje mbijetese e shtetit.”
Mickoski iu referua edhe paralajmërimeve të opozitës LSDM për një propozim me “vija të kuqe” në marrëdhëniet me Bullgarinë, që duhet të çojë drejt çeljes së procesit eurointegrues të vendit.
“Me gëzim do ta pres atë propozim për të parë si do të jetë. Por nuk mund të flitet për vija të kuqe, e njëkohësisht të thuhet ‘duhet të pranohet gjithçka që është në tryezë, pa kushte’. Për sa kohë që unë jam kryeministër, nuk do të ketë lojëra me çështje të tilla,” tha ai.
Ai shtoi se integrimet evropiane mbeten prioritet strategjik, por ky rrugëtim “nuk duhet më të jetë i turpshëm, por i dinjitetshëm dhe i barabartë me të gjithë popujt e tjerë evropianë.”