BotaTop Lajme

Milanoviq reagon ndaj vizitës së ministrit izraelit në Zagreb

Shpërndaje

Presidenti kroat, Zoran Milanoviq ka reaguar ndaj vizitës së sotme të ministrit të Jashtëm izraelit, Gideo Saar, në vendin e tij, duke e quajtur këtë vizitë “fyese për Kroacinë”.

Milanoviç kritikoi ashpër qeverinë e vendit të tij dhe pyeti përse është ftuar një anëtar i një qeverie e cila dëbon popullsinë e Gazës dhe kryen spastrim etnik.

“Pse u ftua ministri i Jashtëm izraelit në Zagreb dhe pse u takuan me të kryetari i Parlamentit kroat, kryeministri i Republikës së Kroacisë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kroacisë? Në një kohë kur qeveria dhe ushtria izraelite po dëbojnë të gjithë popullsinë e qytetit të Gazës dhe po njoftojnë sulm ndaj atij qyteti me një milion banorë, takimi me një anëtar të së njëjtës qeveri në fakt është mbështetje e politikës së dhunës, spastrimit etnik dhe krimeve të luftës të Izraelit”, shkroi Milanoviç në Facebook.

“Në vend që të fillojë procesin e njohjes së shtetit palestinez si hapi i parë në arritjen e një zgjidhjeje me dy shtete dhe paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, qeveria e Republikës së Kroacisë mbështet zyrtarët e qeverisë izraelite të cilët janë pa mëdyshje pas politikës së luftës dhe dhunës”, tha Milanoviç.

Ndërkohë, sot kryediplomati izraelit Gideon Saar u takua me homologun e tij kroat Gordan Gërliq Radman gjatë vizitës së tij në Zagreb.
Në një konferencë të përbashkët për media me ministrin Gërliç, Saar pohoi se “njohja e shtetit të Palestinës nuk do të kontribuonte në paqe apo siguri, por do të krijonte paqëndrueshmëri në rajon”.