“Ndërpreva 7 luftëra”- Trump ngatërron Armeninë me Shqipërinë, thotë se konflikti vazhdonte prej vitesh
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin britanik, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi sërish se ka përfunduar shtatë luftëra që nga kthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë. Por këtë herë, shtoi edhe një “sukses të ri”: përfundimin e luftës midis Shqipërisë dhe Azerbajxhanit.
Deklarata e çuditshme shkaktoi reagime dhe ironi, pasi është e qartë se Trump i referohej konfliktit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit në lidhje me rajonin e Nagorno-Karabakut, por ngatërroi Shqipërinë me Armeninë, një gabim që nuk është hera e parë që ndodh.
Sipas Sky News, ky është rasti i tretë brenda disa javësh që presidenti amerikan ngatërron një nga këto dy vende në deklaratat e tij publike. Megjithatë, Trump u shfaq i entuziazmuar për rolin që pretendon të ketë luajtur në ndërmjetësimin e marrëveshjes, duke kujtuar takimin e verës në Shtëpinë e Bardhë me liderët e të dy vendeve.
Pavarësisht lapsusit gjeopolitik, Trump theksoi: “E rëndësishme është që lufta përfundoi.”
Kjo deklaratë është marrë me skepticizëm, duke pasur parasysh se tensionet mes Armenisë dhe Azerbajxhanit për Nagorno-Karabakun ende nuk janë zgjidhur plotësisht dhe rajoni mbetet i paqëndrueshëm.