Parandalohet kontrabanda me telefona dhe të holla të padeklaruara në Aeroportin e Prishtinës
Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës ka identifikuar dy raste të ndara të tentimeve për kontrabandë në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.
Më 20.09.2025, dy pasagjerë nga Zvicra (Zyrih), njëri shtetas i Kosovës dhe tjetri i Serbisë, janë ndaluar pas kalimit të kontrollit të pasaportave.
Gjatë kontrollit në trupin e tyre janë gjetur të fshehur 10 telefona iPhone 17. Telefonat nuk ishin deklaruar dhe vlera e tyre në treg sillet rreth 10.000 – 11.000 euro.
Pasagjerët janë proceduar më tej nga autoritetet doganore dhe rasti është në trajtim sipas procedurave ligjore në fuqi.
Po të njëjtën ditë, një pasagjer nga Bazeli është ndaluar në kontroll pas informatës së pranuar.
Gjatë kontrollit në valixhe janë gjetur tre zarfe me gjithsej 36.450 euro të padeklaruara.
Pasagjeri është shtetas i Kosovës dhe nuk kishte përmbushur detyrimin për deklarim të shumës.
Të hollat janë numëruar në prani të policisë dhe doganës në hapësirat zyrtare.
Rasti është proceduar më tej nga autoritetet doganore.
Komunikatë për media nga DOGANA e Kosovës:
Prishtinë, 20 shtator 2025 – Dogana e Kosovës në kuader te bashkepunim me njesitin e informacionit pasagjereve – NJIP, ku bejne pjese Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës njofton opinionin publik se sot gjatë një operacioni në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, zyrtarët doganorë kanë parandaluar tri raste të tentim kontrabandës, ku dy prej tyre me telefona dhe një mosdeklarimit të mjeteve monetare.
Gjatë kontrollit të një pasagjeri që vinte nga një linjë ndërkombëtare, zyrtarët doganorë kanë zbuluar disa telefona të fshehur në trupin e tij, të cilët dyshohet se ishin të destinuar për tregun e zi. Gjithashtu edhe tek një udhëtar tjetër janë gjetur telefona të menqur gjatë tentim kontrabandës.
Po ashtu, gjatë kontrollit të bagazhit të të njëjtit pasagjer, janë gjetur 36,500 euro të padeklaruara, prej të cilave 9,000 euro janë konfiskuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon qarkullimin e mjeteve monetare në kufi.
Rasti është referuar për hetime të mëtejshme te Drejtoria e Hetimeve të Doganës së Kosovës, për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore dhe veprimet tjera procedurale.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin e kontrabandës, pastrimit të parave dhe aktiviteteve ilegale që dëmtojnë ekonominë dhe sigurinë e vendit.