Përurohen dy çerdhe të reja publike në Podujevë
Kryeministri, Albin Kurti, së bashku me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, sot kanë përuruar dy çerdhe të reja publike në fshatrat Kërpimeh dhe Orllan.
Në Kërpimeh, objekti i ish-shkollës fillore “Azem Bejta”, më pas “Hamit Sejdiu”, i dëmtuar dhe i lënë pas dore për vite me radhë, është shndërruar në një çerdhe moderne për fëmijët e fshatit dhe të rrethinës. Investimi prej 200 mijë eurosh, tërësisht nga buxheti i Komunës së Podujevës, ka mundësuar rikonstruksionin e hapësirës prej 460 metrash katrorë, ku janë krijuar kushte bashkëkohore me kuzhinë, hapësira administrative, depo, banjo, tri dhoma edukimi dhe një dhomë gjumi.
Ndërkaq, në Orllan, brenda hapësirave të Shkollës Fillore “Zahir Pajaziti”, është adaptuar çerdhja e re përmes një investimi prej 12 mijë eurosh, punimet e së cilës janë kryer nga Ndërmarrja Publike Komunale “Eko Llapi”. Kjo çerdhe ofron dy dhoma për edukim dhe fjetje si dhe një hapësirë për ushqim. Në vendlindjen e Heroit të Kombit, Zahir Pajaziti, kryeministri Kurti dhe kryetari Bulliqi morën një dhuratë të çmuar fotografinë e Zahir Pajazitit në ram.
Kryeministri Kurti, në të dy përurimet, falënderoi edukatorët, drejtorët dhe stafin për angazhimin e tyre të përditshëm, duke theksuar rëndësinë që fëmijët të kenë kujdes dhe vëmendje të posaçme qysh në fëmijëri të hershme. Ai përgëzoi kryetarin Bulliqi për prioritetin që i ka dhënë arsimit dhe edukimit të hershëm gjatë qeverisjes së tij.
Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se përmes këtyre investimeve po ruhet trashëgimia e objekteve të vjetra shkollore, duke u shndërruar në hapësira të reja për edukim cilësor të fëmijëve. Ai shtoi se falë këtij angazhimi, komuna nga vetëm një çerdhe publike sa kishte më parë, në përfundim të mandatit të tij do të numërojë gjithsej nëntë çerdhe publike.