Përurohet shtatorja e heroit Afrim Zhitia në fshatin Llugë, Kurti: Skulpturë monumentale e heroit të Kosovës (Foto)
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ushtruesi i detyrës së Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, deputetë e ministra, familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore dhe përurimin e shtatores së heroit të kombit, Afrim Zhita.
Në fjalën e tij hapëse, kryeministri Kurti tha se, teksa po i afrohemi përmbushjes së dekadës së katërt prej rënies së tyre, jemi bashkuar këtu në fshatin Llugë, në vendlindjen e Afrim Zhitisë, për të inauguruar një tjetër formë të përkujtimit të figurës së Afrim Zhitisë dhe veprës së tij.
Duke përshkruar figurën e Afrim Zhitisë, i cili si 16-vjeçar nisi udhëtimin e tij politik, kryeministri tha se, katër vitet që i kaloi në burg si i dënuar për aktivitetin politik të tij, i shtuan Afrimit përvojë jetësore dhe lexime teorike, duke i dhënë atij profilin e aktivistit politik shqiptar e progresist që angazhohet tërësisht për çlirimin e atdheut dhe për barazi e drejtësi. Nga burgu në përpjekje për liri, te jeta dhe te lufta për liri bashkë me Fahriun dhe me shokët e tjerë që ranë gjatë rrugës apo edhe ata që patën jetë ta jetojnë lirinë të gjallë deri sot mes nesh.
“Shtatorja e Afrim Zhitisë këtu në Lluga, e monumentalizon figurën e tij historike në një vepër publike arti. Por që të plotësohet e tërë infrastruktura kulturore e bartjes ndër gjenerata të historisë së Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, sikurse edhe historisë së Bahri Faziut, Agron Rrahmanit, historisë së Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe të dëshmorëve të tjerë dhe shokëve të tyre luftëtarë, kemi nevojë edhe për më shumë studime të thelluara dhe më shumë botime shkencore. Për vepra të shkruara, pra kemi nevojë, sepse e shkruar është natyra e historisë, ku ata përkasin si subjekte dhe personalitete. Dëshmorët janë dëshmi që burimi i çlirimit dhe faktori vendimtar është vet populli, prej të cilit vijnë dhe të cilit duhet t’i shërbejnë”, u shpreh ai.
Lavdi Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, lavdi të gjithë të rënëve dëshmorë e martirë për çlirimin e Kosovës dhe lirinë e popullit tonë!
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
E nderuara familje e dëshmorit Afrim Zhitia,
E nderuara nëna Qamë, motra Sadete dhe vëlla Naim,
I nderuari kryetar i Komunës së Podujevës, z. Shpejtim Bulliqi,
I nderuari ushtrues detyre i ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi,
I nderuari ish-ministër Liburn Aliu,
I nderuari kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj,
I nderuari Kryetar i BDI-së, Ali Ahmeti,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës Avni Dehari, Saranda Bogujevci dhe Drita Pajaziti,
I nderuari ish-komandant i Zonës Operative të Llapit, gjeneral Rrustem Mustafa – Remi,
Të nderuar familjarë të dëshmorëve,
Të nderuar invalidë dhe veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar bashkëveprimtarë e shokë të heroit Afrim Zhitia, nga të gjitha trojet shqiptare,
Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotëri, motra dhe vëllezër,
Shoqëritë më përparimtare të botës dhe shtetet më të zhvilluara të kontinentit tonë, kanë sjellur politika të ndryshme të kujtesës për ngjarjet e tyre me peshë historike dhe për figurat më të rëndësishme kombëtare. Një nga sfidat e traditave shoqërore dhe të protokolleve shtetërore për kujtimin e dëshmorëve të lirisë, është gjetja e mënyrave më fisnike dhe efikase institucionale për mirëmbajtjen e kujtesës kolektive nga njëri brez te tjetri, të mirënjohjes, nderimit dhe respektit ndaj të gjithë të rënëve për liri.
Kështu, vitin e kaluar, më 2 nëntor 2024, në 35-vjetorin e rënies së dëshmorëve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, u patëm takuar bashkë në akademinë përkujtimore të organizuar me atë rast në Prishtinë, në qytetin ku Afrimi e Fahriu rezistuan të armatosur deri në vdekje, në vitin 1989. Sivjet, teksa po i afrohemi përmbushjes së dekadës së katërt të rënies së tyre heroike, jemi bashkuar këtu në fshatin Llugë, në vendlindjen e Afrim Zhitisë, për të inauguruar një tjetër formë të përkujtimit të figurës së Afrim Zhitisë dhe të veprës së tij.
Obeliskut të përtërirë këtu, sot po i shtohet edhe një skulpturë si një vepër monumentale publike e komemorimit të Afrim Zhitisë, djalit të këtij fshati të Llapit dhe heroit të lirisë së Kosovës. I lindur në dimrin e vitit 1965, Afrim Zhitia e nisi udhëtimin e tij politik kur ishte 16-vjeçar, gjatë demonstratave të pranverës së vitit 1981. Katër vitet që i kaloi në burg si i dënuar për aktivitetin politik të tij, i shtuan Afrimit përvojë jetësore dhe lexime teorike, duke i dhënë atij profilin e aktivistit politik shqiptar e progresist që angazhohet tërësisht për çlirimin e atdheut dhe për barazi e drejtësi. Nga burgu në përpjekje për liri, te jeta dhe te lufta për liri bashkë me Fahriun dhe me shokët e tjerë që ranë gjatë rrugës apo edhe ata që patën jetë ta jetojnë lirinë të gjallë deri sot mes nesh.
Dikush i ka ruajtur kujtimet për Afrimin, e dikush i ka ruajtur letrat dhe fotografitë e Afrimit; diku janë ruajtur rrëfimet për rezistencën e Afrimit dhe të Fahriut në Breg të Diellit e diku janë shkruar dhe mësuar idealet dhe frymëzimet e tyre politike. Emri i tij është kthyer në emër rruge dhe shkolle, kurse vepra e Afrimit dhe Fahriut është shënjuar duke ndjekur pas gjurmët e tyre.
Shtatorja e Afrim Zhitisë këtu në Lluga, e monumentalizon figurën e tij historike në një vepër publike arti. Por që të plotësohet e tërë infrastruktura kulturore e bartjes ndër gjenerata të historisë së Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, sikurse edhe historisë së Bahri Faziut, Agron Rrahmanit, historisë së Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe të dëshmorëve të tjerë dhe shokëve të tyre luftëtarë, kemi nevojë edhe për më shumë studime të thelluara dhe më shumë botime shkencore. Për vepra të shkruara, pra kemi nevojë, sepse e shkruar është natyra e historisë, ku ata përkasin si subjekte dhe personalitete. Dëshmorët janë dëshmi që burimi i çlirimit dhe faktori vendimtar është vet populli, prej të cilit vijnë dhe të cilit duhet t’i shërbejnë.
Ne duhet të punojmë, të luftojmë dhe të shërbejmë. Kurse populli, shteti dhe qytetarët duhet të përfitojnë.
Lavdi Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, lavdi të gjithë të rënëve dëshmorë e martirë për çlirimin e Kosovës dhe lirinë e popullit tonë!
Përurohet shtatorja e heroit Afrim Zhitia