Bota

Presidenti Erdoğan dënon sulmin e Izraelit në Doha

Shpërndaje

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka dënuar sulmin e Izraelit në kryeqytetin Doha të Katarit, që synonte anëtarët e Hamasit, duke deklaruar se Izraeli shkeli ligjin ndërkombëtar dhe sovranitetin e Katarit, raporton Anadolu.

“Sulmi i Izraelit ndaj delegacionit negociues të Hamasit në Katar ka demonstruar edhe një herë qartë tërbimin e verbër të qeverisë së (Benjamin) Netanyahut dhe qëllimin e saj për të thelluar konfliktin dhe paqëndrueshmërinë”, tha Erdoğan në mediat sociale.

Erdoğan theksoi se Turqia qëndron me palestinezët dhe aleatin, mikun dhe partnerin e saj strategjik, Katarin, me të gjitha mjetet e saj, si dhe shtoi se ata që e bëjnë terrorizmin një politikë shtetërore nuk do të kenë kurrë sukses.

“Ne do të qëndrojmë të vendosur kundër veprimeve të pamatura të Izraelit që e zvarrisin rajonin në katastrofë dhe do të vazhdojmë të mbrojmë paqen, ligjin ndërkombëtar dhe lirinë e popullit palestinez me çdo kusht”, tha ai.

Më herët gjatë ditës, ushtria izraelite tha se kreu një “sulm të saktë që synonte udhëheqjen e lartë” të grupit palestinez.

Katari e dënoi sulmin “frikacak”, duke theksuar se sulmi kishte në shënjestër ndërtesat e banimit ku ndodheshin anëtarë të byrosë politike të Hamasit.

Shteti i Gjirit, së bashku me SHBA-në dhe Egjiptin, ka luajtur një rol qendror në përpjekjet për të ndërmjetësuar përfundimin e luftës së Izraelit në Gaza, e cila ka vrarë mbi 64 mijë palestinezë që nga tetori i vitit 2023.