RajoniTop Lajme

Presidentja Osmani takon përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas

Shpërndaje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në New York është takuar me përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, transmeton Anadolu.

Presidentja Osmani bëri të ditur se me Kallas kanë diskutuar mbi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon.

“Integrimi i Kosovës në BE mbetet ndër prioritetet tona kryesore shtetërore. Në këtë frymë, ritheksova domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës, të cilat po i dëmtojnë të gjithë qytetarët tanë, pa përjashtim”, ka thënë Osmani.

Ajo tha se Kosova mbetet e vendosur për paqe dhe stabilitet afatgjatë.

Presidentja Osmani po merr pjesë në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që po mbahet në New York.

Sesioni i 80-të i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së mbahet nën temën: “Më mirë së bashku: 80 vjet e më shumë për paqen, zhvillimin dhe të drejtat e njeriut”.