Rama: Politika e jashtme e Shqipërisë është e harmonizuar 100 për qind me atë të BE-së
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se politika e jashtme e Shqipërisë është 100 për qind e harmonizuar me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian (BE) prej shumë kohe, transmeton Anadolu.
Kryeministri Rama po zhvillon një vizitë pune në Slloveni me rastin e pjesëmarrjes në Konferencën e 20-të ndërkombëtare të Forumit Strategjik të Bledit, si dhe të një sërë eventeve në kuadër të forumit.
Rama ishte pjesë e panelit me komisioneren për Zgjerim të BE-së, Marta Kos, Kryeministrin e Sllovenisë, Robert Golob, Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq dhe Kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq.
Kryeministri Rama ishte i ftuar special në diskutimin mbi rolin e shteteve dhe të ardhmen e BE-së, ku ai theksoi se besnikëria e Shqipërisë ndaj Evropës nuk është kurrë në dyshim.
Gjatë fjalës së tij si i ftuar special, Rama theksoi se problemet në Evropë nuk lidhen me faktin që Evropa është një bashkim, por sipas tij për faktin që bashkimi duhet të jetë më i fortë dhe që shumë gjëra duhet të ndryshojnë.
“Mendoj që problemi kryesor që ka Evropa është çfarë drejtimi do të marrë. Do të thellohet në rrugën e saj për t’u shndërruar në shtetet e bashkuara të Evropës apo do të shpërbehet në copa të ndryshme me gjithsecilin që vendos se sateliti i kujt do të bëhet sepse nuk ka shans që të ndahesh dhe të dalësh nga ky klub i madh dhe pastaj të kesh ndonjë histori të lavdishme përveçse të bëhesh satelit i dikujt tjetër. Kjo është ajo pikëpyetja e madhe, përgjigjen e së cilës nuk e kam”, u shpreh Rama.
Rama tha ndër të tjera si evropianë duan të jenë të lirë e të shprehim lirisht atë çfarë mendojnë, duke theksuar se “kur vjen puna që të ndjekim Evropën, ne jemi ndjekës vërtetë besnikë”.
Gjatë fjalës në panel me homologët e tij, Rama tha se objektivi është që t’i përmbyllin negociatat për anëtarësimin e vendit në BE deri më 2027 dhe shtoi se po ecin përpara.
“Dua të them që nuk ka vend për nxitim sepse besoj që pjesa më e rëndësishme për ne së paku, për Shqipërinë, është që ta përdorim procesin e anëtarësimit si proces shtetndërtimi, sepse Evropa është bekim për vendet tona”, tha Rama.