Sulmi rus me dron mbi Kiev, reagon Zelensky: Krim i qëllimshëm për të zgjatur luftën. Të zbatohet marrëveshja e Parisit
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka reaguar në një mesazh në rrjetin social Twitter, mbi sulmin me dronë rus në qiellin e Kievit në orët e para të ditës së diel duke shkaktuar 2 viktima dhe 18 të plagosur, përfshi dhe zjarrin mbi godinën qeveritare.
Zelensky shkruan se vrasje të tilla tani, kur diplomacia e vërtetë mund të kishte filluar shumë kohë më parë, janë një krim i qëllimshëm dhe një zgjatje e luftës.
“Në Uashington është thënë vazhdimisht se sanksionet do të vijnë pas refuzimit për të biseduar. Ne duhet të zbatojmë gjithçka që u ra dakord në Paris.
Gjithashtu, mbështetemi në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve për të forcuar mbrojtjen tonë ajrore.
Çdo sistem shtesë shpëton civilët nga këto sulme të liga. Bota mund t’i detyrojë kriminelët e Kremlinit të ndalojnë vrasjet – e tëra çfarë nevojitet është vullneti politik”, thotë në mesaazhin e tij, presidenti i Ukrainës, Zelensky.
Më tej, presidenti shkruan se vijon puna për të eliminuar pasojat e sulmeve ruse – më shumë se 800 dronë, 13 raketa, përfshirë 4 balistike.
“Sipas informacioneve paraprake, disa dronë kaluan kufirin e Ukrainës dhe Bjellorusisë. Në Kiev, ndërtesa të zakonshme banimi janë shkatërruar. Në njërën prej tyre, katet midis katit të 4-të dhe të 8-të janë shembur.
Deri më tani, dy persona janë raportuar të vrarë, përfshirë një fëmijë. Ngushëllimet e mia për të gjithë të dashurit e tyre.
Në total, dhjetëra u plagosën vetëm në kryeqytet. Ndërtesa e Kabinetit të Ministrave u dëmtua – një zjarr shpërtheu në katet e sipërme.
Më shumë se 20 shtëpi dhe një kopsht fëmijësh u dëmtuan në Zaporizhzhia. Depot u shkatërruan në Krivyi Rih, një person u vra në Safonivka, rajoni i Sumy, dhe një tjetër në rajonin e Chernihiv. Një pallat i lartë banimi u godit në Odesa.
Shumë rajone janë prekur gjatë ditës së kaluar. Shërbimet tona të emergjencës po punojnë kudo që janë të nevojshme”, shkruan presidenti Zelensky.