BotaTop Lajme

Trump tha se ndali luftën mes Kosovës dhe Serbisë, CNN verifikon faktet dhe ia hedh poshtë deklaratën

Shpërndaje

Në fjalimin e tij në Kombet e Bashkuara më 23 shtator 2025, presidenti amerikan Donald Trump pretendoi se kishte ndaluar luftën mes Kosovës dhe Serbisë, duke e përfshirë këtë në një listë të shtatë konflikteve që sipas tij ai i kishte ndalur gjatë mandatit të tij.

Ai shtoi se këto ishin “luftëra të ashpra” me “mijëra të vrarë”, të cilat ai i kishte ndalur brenda shtatë muajsh.

Megjithatë, sipas një kontrolli të fakteve nga CNN, ky pretendim është i pasaktë dhe nuk mbështetet nga realiteti i situatës ndërkombëtare gjatë periudhës së tij në detyrë.

CNN shkruan se konflikti mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka qenë një luftë aktive gjatë periudhës së Trumpit në detyrë.

“Ndërsa Trump më parë ka pretenduar se ka parandaluar shpërthimin e një lufte të re midis Serbisë dhe Kosovës – duke dhënë pak detaje rreth asaj për të cilën po fliste – këto vende nuk ishin në një luftë të vërtetë as gjatë mandatit aktual të Trump dhe as gjatë mandatit të tij të parë, kur nënshkruan një marrëveshje për normalizim ekonomik të ndërmjetësuar nga administrata e Trump në vitin 2020”, raporton mediumi, transmeton Telegrafi.

Trump ishte i pasaktë në lidhje me një gamë të gjerë temash.

Ato përfshinin inflacionin në SHBA, politikat klimatike si në SHBA ashtu edhe jashtë saj, imigracionin, rolin e tij në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare dhe pozicionin e tij në sondazhet e opinionit.