MaqedoniTop Lajme

Ahmeti takon presidentin Begaj: Shqipëria dhe Maqedonia duhet të ecin krah për krah drejt Evropës

Shpërndaje

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, qëndroi sot në Tiranë ku, para fillimit të protestës gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, u prit në një takim të ngrohtë dhe vëllazëror nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

Në njoftimin e bërë publik pas takimit, Ahmeti theksoi se biseda me Presidentin Begaj ishte përqendruar në zhvillimet aktuale në rajon, proceset euroatlantike dhe rolin që luajnë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërfqinjësor.

“E përgëzova Presidentin Begaj për përparimin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit evropian, duke theksuar se është jetike që edhe Maqedonia e Veriut të ecë përkrah Shqipërisë në këtë proces”, deklaroi Ahmeti, duke shtuar se “rruga drejt Brukselit është një rrugëtim strategjik kombëtar që forcon paqen, zhvillimin dhe bashkëpunimin rajonal”. Sipas tij, të dyja vendet duhet të ecin krah për krah drejt një të ardhmeje të përbashkët evropiane, si pjesë e vizionit të përbashkët për stabilitet dhe prosperitet rajonal. Në takim, siç njofton Ahmeti, u theksua gjithashtu rëndësia e forcimit të stabilitetit në rajon, përshpejtimit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe heqjes së kufijve që ndajnë vëllezërit e një gjaku. “Në Evropën e bashkuar, këta kufij duhet të shndërrohen në ura që bashkojnë popujt”, theksoi lideri i BDI-së.