MaqedoniTop Lajme

Anulohet greva e Kontrollit të Trafikut Ajror! Sindikatat do të ankohen ndaj vendimit të gjykatës, thonë se është i paligjshëm

Shpërndaje

Edhe pse e konsiderojnë si të paligjshëm vendimin e gjykatës për ndalimin e grevës, kontrollorët e trafikut ajror kanë vendosur ta respektojnë. Aleksandar Tasevski, kryetar i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, deklaroi se nuk kanë marrë asnjë njoftim apo ftesë nga gjykata për padinë që drejtoria e M-NAV-it kishte dorëzuar për ndalimin e grevës, ndërsa për vendimin kanë mësuar nga mediat. Ekipi i tyre ligjor tashmë po përgatit një ankesë ku do të paraqiten të gjitha argumentet kundër këtij vendimi gjyqësor.

“Ne duhet ta respektojmë vendimin e gjykatës. Do ta njoftojmë M-NAV se greva nuk do të mbahet, por do ta vendosim në pauzë. Megjithatë, nuk do të heqim dorë dhe do të vazhdojmë me aktivitete të tjera për të realizuar kërkesat tona”, tha Aleksandar Tasevski – kryetar i Sindikatës së kontrollorëve të trafikut ajror.

Nga sindikata thonë se kërkesat i kanë paraqitur që në vitin 2023, por për shkak të mosrealizimit të tyre, grevat janë shtyrë disa herë. Me ardhjen e drejtuesve të rinj, u është thënë se ata nuk mund të pranojnë asgjë që ka të bëjë me menaxhmentin e mëparshëm.

Në lidhje me vendimin e gjykatës, Tasevski prezantoi dokumente që dëshmojnë se ka pasur procedurë për zgjidhje paqësore të konfliktit dhe se të gjitha kërkesat e tyre burojnë nga Ligji për Marrëdhënie Pune, duke përfshirë edhe kërkesat për kushte më të mira pune.

“Të gjitha pikat kanë të bëjnë me Ligjin për Marrëdhënie Pune, përfshirë rregullat për punën gjatë natës, kushtet e punës, pagesën e kompensimeve të parashikuara me ligj dhe kontrata kolektive për angazhime të punonjësve. Asnjë pikë nuk është jashtë rregulloreve shtetërore”, deklaroi Aleksandar Tasevski – kryetar i Sindikatës së kontrollorëve të trafikut ajror.

Dje, nga drejtoria e M-NAV njoftuan se gjykata ka marrë vendim për ndalimin e grevës së Kontrollit të Trafikut Ajror, duke theksuar se procedura për zgjidhje paqësore të konfliktit kolektiv nuk ishte ndjekur dhe se greva nuk rrjedh nga kërkesa konkrete të lidhura me marrëdhëniet e punës.