RajoniTop Lajme

Armend Mehaj: Dronët kamikaz, rezultat i marrëveshjeve shtet me shtet gjatë mandatit tim në Ministrinë e Mbrojtjes

Shpërndaje

Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka sqaruar publikisht origjinën dhe procesin e marrëveshjeve që mundësuan furnizimin e Kosovës me dronë kamikaz dhe kapacitete të tjera moderne ushtarake nga Turqia. Ai ka konfirmuar se këto marrëveshje u nënshkruan gjatë kohës kur ai drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes, si pjesë e një strategjie të re të bashkëpunimit shtet me shtet, të mbështetur nga Kryeministri Kurti dhe të harmonizuar me praktikat e NATO-s. Mehaj thekson se ky proces u mbajt konfidencial për arsye sigurie, por tani, me dërgesat që janë bërë publike, është koha të sqarohet se këto furnizime janë rezultat i një vizioni të qartë për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe ruajtjen e paqes në rajon.

Postimi i plotë nga Armend Mehaj:

Shumë mediume më kanë kërkuar sqarime lidhur me dronët kamikaz që tashmë kanë ardhur nga shteti mik turk. Dua ta konfirmoj qartë se: po, gjatë kohës kur isha në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, kam nënshkruar marrëveshjet e para shtet me shtet, te cilat kishin për qëllim furnizimin me kapacitete drona Bayraktar, dronash Puma, dronësh kamikaz dhe shumë armatim tjetër.
Kjo marrëveshje nuk është bërë publike menjëherë, ashtu siç kishim rënë në ujdi me partnerin tonë, për arsye konfidencialiteti dhe sigurie operacionale. Tani që dërgesat janë të dukshme për të gjithë, është e rëndësishme të sqaroj një gjë: mënyra se si u arritën marrëveshjet shtet me shtet shpesh është keqkuptuar.
Në atë periudhë, blerjet e armatimeve për ushtrinë dhe policinë shpesh kryheshin përmes kanaleve të ndryshme administrative. Me mbështetjen e Kryeministrit Kurti, si ministër kam vendosur dhe zbatuar një sistem të marrëveshjeve shtet me shtet, në përputhje me praktikat e NATO-s, përmes të cilit na është mundësuar blerja e kapaciteteve strategjike në mënyrë transparente dhe të koordinuar.
Këto marrëveshje na japin mundësinë të porosisim pajisje të ndryshme, sipas nevojave profesionale, nëse kemi buxhet dhe një vizion të qartë zhvillimor për ushtrin tonë.
Ndërsa sa i përket reagimeve të presidentit serb rreth ardhjes në Kosovë të dronëve kamikaz, dua t’i kujtoj Vuçiqit dhe çdo udhëheqësi tjetër serb se Kosova është shumë më e fortë ushtarakisht sesa paramendohet. Andaj, paqja në Ballkan është më se e domosdoshme, dhe kjo arrihet vetëm me respekt dhe bashkëpunim. Me këtë rast, bëjmë thirrje që Serbia ta shmangë retorikën luftënxitëse dhe një herë e përgjithmonë të shkëputet nga politika e ish diktatorit Millosheviç.
Ka edhe shumë marrëveshje të tjera që do te përmenden më vonë, dhe ka shumë armatim që as në ëndërr nuk e kemi pa më parë. Këto punë i kam kryer bashkë me ekipin tim në Ministrinë e Mbrojtjes.
Kosova dhe atdheu mbi të gjitha.