Bajram Rexhepi: Fotot që qarkullojnë janë të pavërteta dhe me prapavijë propagandistike
Kandidati për kryetar të Komunës së Tetovës, Bajram Rexhepi, ka reaguar ndaj fotografive që po qarkullojnë në rrjetet sociale, duke i cilësuar ato si të pavërteta, tendencioze dhe me qëllim propagandistik.
Në reagimin e tij, Rexhepi theksoi se koalicioni për Tetovën është me qytetarët dhe për qytetarët, ndërsa më 2 nëntor “në Tetovë do të fitojë vota e lirë dhe e ndershme”.
Reagimi i plotë i Rexhepit:
DEMANT ❗️
Dua të informoj opinionin se fotografitë që po qarkullojnë në rrjetet sociale, të lidhura me një takim elektoral, si dhe mënyra tendencioze me të cilën po interpretohen në disa media, janë plotësisht të pavërteta, dashakeqe dhe me prapavijë të qartë propagandistike.
Për sqarim, bëhet fjalë për një aktivitet të rregullt elektoral, ku unë, së bashku me bashkëshorten dhe aktiviste të Forumit të Gruas të AKI-së, morëm pjesë në një takim promovues me gra intelektuale, në kuadër të prezantimit të programit tonë zgjedhor.
Në aktivitet kanë marrë pjesë shumë gra dhe qytetare të Tetovës.
Kandidatja e partisë Levica nuk ka qenë e pranishme në atë darkë, dhe në asnjë moment nuk është zhvilluar ndonjë takim me struktura të caktuara partiake apo jashtë natyrës publike të ngjarjes.
Takimi ka qenë plotësisht publik, i mbajtur në një kafene në qendër të qytetit, dhe çdo përpjekje për t’i dhënë atij ngjyrime apo konotacione të tjera është e pabazë, tendencioze dhe e neveritshme. Kjo gjuhë shpifëse tregon më shumë për mendësinë e porositësve të kësaj propagande të ulët sesa për vetë ngjarjen.
Ndryshe nga të tjerët, koalicioni ynë për Tetovën ka qenë që nga fillimi me qytetarët dhe për qytetarët. Ne nuk kemi asgjë për të fshehur dhe as nevojë për shpifje.
Më 2 nëntor, në Tetovë do të fitojë vota e lirë dhe e ndershme, dhe Tetova do të marrë më në fund frymë lirshëm.

