MaqedoniTop Lajme

Bilall Kasami, bashkë me kryeministrin Mickoski, inspektojnë projektet e mbështetura nga Qeveria në Tetovë

Shpërndaje

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, bashkë me kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Hristijan Mickoski, dhe ministrin e Ekonomisë, z. Besar Durmishi, dolën sot në terren për të inspektuar punimet që po zhvillohen në kuadër të projekteve që realizohen me përkrahje të Qeverisë, njofton albazone media.

Gjatë vizitës, drejtuesit e institucioneve u informuan nga afër për dinamikën e punimeve dhe për përparimin e projekteve infrastrukturore që po implementohen në qytet.

Kryetari Kasami theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Komunës dhe Qeverisë për zhvillimin e qëndrueshëm të Tetovës.

“Sot, bashkë me kryeministrin Mickoski dhe ministrin Durmishi, pamë nga afër ecurinë e projekteve që po realizohen me përkrahje qeveritare. Tetova po transformohet në çdo cep dhe do të vazhdojë të zhvillohet edhe më shumë në katër vitet e ardhshme,” u shpreh Kasami.

Projektet e inspektuara përfshijnë investime në infrastrukturë rrugore, përmirësim të hapësirave publike, si dhe nisma për zhvillim ekonomik dhe urban, që do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.

Komuna e Tetovës mbetet e përkushtuar të vazhdojë me ritmin aktual të zhvillimit dhe të sigurojë që çdo investim të jetë në shërbim të qytetarëve dhe të ardhmes së qytetit.