Fund për porositë e lira nga Temu në Maqedoninë e Veriut
A po i vjen fundi porosive të lira nga Temu dhe platformat e tjera kineze të tregtisë online në Maqedoninë e Veriut? Pas zgjedhjeve lokale, në rend dite në Kuvend pritet të hyjë për miratim propozim-ligji i Qeverisë për ndryshime në Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), i cili parashikon heqjen e përjashtimit nga pagesa e TVSH-së për produktet e porositura nga jashtë me vlerë deri në 22 euro, raporton DW.
Kjo do të nënkuptojë rritje automatike të çmimeve për 18 për qind, aq sa është norma e TVSH-së.
Në propozim-ligj thuhet se “nga pagesa e TVSH-së lirohen vetëm dërgesat e vogla jo-komerciale, nga person fizik tek person fizik, me vlerë jo më të madhe se 22 euro. Përjashtimi nuk vlen për alkool, parfume, duhan dhe produkte të tij”. Ligji do të hyjë në fuqi në ditën e tetë pas publikimit në “Gazetën Zyrtare”.
Kush lirohet nga pagesa e TVSH-së?
Sipas draftit, nga TVSH-ja do të lirohen udhëtarët që hyjnë në vend me sende për nevoja personale gjatë udhëtimit (bagazh personal), si dhe shtetasit që kthehen në vend me mallra të vogla me vlerë jo-komerciale.
Përjashtim vlen edhe për barna për përdorim personal që mbahen me vete ose dërgohen nga jashtë, si dhe për sende personale të trashëguara jashtë vendit.
Bum i tregtisë online
Blerjet nga platformat e lira si Temu, Shein dhe AliExpress po përjetojnë një bum në Maqedoni dhe në mbarë Evropën.
Sipas analizës së Shoqatës për E-Tregti të Maqedonisë (AETM), në gjysmën e parë të vitit 2025, vlera e përgjithshme e transaksioneve online të realizuara nga qytetarët maqedonas në vend dhe jashtë vendit, si dhe nga poseduesit e kartelave të huaja, ka arritur 456.3 milionë euro, që paraqet rritje prej 34.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Qytetarët që jetojnë jashtë vendit kanë realizuar blerje online në vlerë prej 201.2 milionë euro, një rritje prej 55.1% në krahasim me vitin e kaluar. Analizat tregojnë se shumica e porosive janë me vlerë të vogël, një trend që lidhet drejtpërdrejt me popullaritetin e platformës Temu, e cila tërheq blerësit me oferta të gjera, çmime shumë të ulëta dhe transport falas edhe për porositë më të vogla.
Mijëra pako çdo ditë
Sipas të dhënave të Doganës, vetëm në qershor, qytetarët e Maqedonisë kanë porositur 250 tonë mallra nga Temu.
Prej tyre, 95 tonë ishin dërgesa me vlerë deri në 22 euro, për të cilat nuk është paguar asnjë taksë.
Për pjesën tjetër, 153 tonë, janë paguar taksa në vlerë prej 678 mijë eurosh (41.7 milionë denarë).
Dogana njofton se vetëm në shtator ka arkëtuar 179.5 milionë euro, që është 7.5% më shumë se vitin e kaluar — rritje që lidhet pjesërisht me rritjen e importit të mallrave të vogla online.
Modeli i biznesit nën kritikë
Modeli i biznesit të platformave kineze Temu dhe Shein prej kohësh është në shënjestër si në SHBA, ashtu edhe në Evropë.
Ish-presidenti amerikan Donald Trump tashmë ka kufizuar hyrjen e mallrave të tyre të lira në SHBA, duke mbyllur boshllëqet në ligjin për tregti pa doganë.
Masa të ngjashme po përgatiten edhe në Bashkimin Evropian, pasi në vitin 2024 tregun e BE-së e kanë përmbytur 4.6 miliardë pako me vlerë të ulët, dyfish më shumë se në 2023 dhe trefish krahasuar me 2022.
Plot 91 për qind e këtyre pakove vijnë nga Kina, ndërsa çdo ditë në Evropë dorëzohen 12.6 milionë pako pa miratim doganor, çka përbën kërcënim serioz për tregtarët vendas që përballen me kosto më të larta pune, zinxhirë furnizimi dhe rregullativa.DW