Kaos para parlamentit të Serbisë, të shtëna dhe zjarr (Video)
Një incident i rëndë ka ndodhur të mërkurën para ndërtesës së Parlamentit në Beograd, ku u raportuan të shtëna me armë zjarri në një kamp tendash pro-qeveritare. Sipas pamjeve të publikuara në mediat serbe, disa tenda shpërthyen në flakë pas të shtënave.
Sipas raportimeve, një person ka mbetur i plagosur, ndërsa pamjet filmike tregojnë ndërhyrjen e policisë dhe një burrë që del nga një prej tendave të përfshira nga zjarri.
Deputetja e opozitës, Marinika Tepiq, nga Partia e Lirisë dhe Drejtësisë, deklaroi në platformën X (ish-Twitter):
“Dikush qëlloi me armë zjarri dhe më pas u vuri flakën tendave”.
Agjencia e lajmeve FoNet raportoi se policia i kishte njoftuar shërbimet e emergjencës për një shpërthim të një bombole gazi, gjithashtu përpara Parlamentit.
Në vendngjarje, forcat e rendit gjetën një burrë me plagë nga armë zjarri.
Autoritetet serbe ende nuk kanë dhënë një version zyrtar mbi shkakun e incidentit apo identitetin e të plagosurit.Mediat serbe raportuan se oficerët e policisë që ndërhynë në vendngjarje dyshohet se i bërtitën sulmuesit të lëshonte armën.
Një burrë u gjet në vendngjarje me një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit.
Siç është njoftuar nga Zyra e Presidentit serb, Vuçiq do të mbajë një fjalim të jashtëzakonshëm për publikun në orën 13:00 në Pallatin e Serbisë.
Nga një aktivitet ku ishte, Vuçiq e cilësoi aktin si “terrorist”.
“Po flas si i pari dhe kërkoj ndjesë që do të më duhet të largohem nga ky takim i mrekullueshëm. Arsyeja është akti terrorist që ndodhi para Parlamentit serb, kështu që do të duhet të merrem me gjëra të tjera”, tha Presidenti i Serbisë.