Kryeministri Kurti në Pallatin Élysée me ftesë të Presidentit Macron
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte mysafir i Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin ikonik presidencial Élysée, ku mori pjesë në darkën solemne të organizuar në kuadër të edicionit të 10-të të Forumit të Paqes në Paris, njofton albazone media.
Ngjarja mblodhi liderë nga e gjithë bota për të diskutuar bashkëpunimin ndërkombëtar, paqen dhe sfidat globale të kohës sonë.
Postimi nga KURTI:
Mysafirë të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin ikonik presidencial Élysée, për darkën solemne të edicionit të 10-të të Forumit të Paqes në Paris.
Kurti në Paris: Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE është interes i vetë Bashkimit Evropian
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Paris, mori pjesë në një diskutim të organizuar nga Instituti francez Jacques Delors, ku u trajtuan zhvillimet gjeopolitike në Evropë dhe roli i Ballkanit Perëndimor në kontekstin e sigurisë dhe integrimit evropian.
Në tryezë ishte i pranishëm edhe René Troccaz, i dërguari i posaçëm i Francës për Ballkanin Perëndimor, ndërsa diskutimet u fokusuan në çështjet e mbrojtjes, të drejtave të njeriut dhe zhvillimeve të fundit në Kosovë.
Kurti theksoi rëndësinë e dialogut, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal si parakushte për paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm në kontinent.
Në vijim të agjendës, gjatë darkës zyrtare të organizuar nga Qarku Diplomatik i Parisit, kryeministri në detyrë vuri në pah se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian nuk është vetëm nevojë strategjike për rajonin, por edhe interes ekonomik dhe i sigurisë për vetë BE-në.
“Solidariteti dhe bashkëpunimi ndërmjet shteteve janë garanci për një Evropë më të bashkuar, më të sigurt dhe më të drejtë,” ka deklaruar Kurti gjatë fjalës së tij në Paris.

